E para e shtetit, Vjosa Osmani është deklaruar edhe lidhur me seancën ku në rend dite do të jetë votimi i Qeverisë, ku i mandatuar për kryeministër është Glauk Konjufca.
Osmani në një deklaratë për media pas forumit “Nga Rezoluta në Veprim: 25 vjet që Gratë Transformojnë Paqen dhe Sigurinë në Kosovë” tha se seanca duhet të thirret brenda afatit kushtetues dhe siç tha ajo kanë mbetur edhe disa ditë.
“Lidhur me seancën konstituive, siç e dini i mandatuari i dytë për kryeministër akoma është brenda afatit kushtetues dhe do të varet nga deputetët dhe nga Kryesia e Kuvendit se kur ftohet seanca. Siç e dini, seanca duhet të ftohet brenda afatit kushtetues, pra kanë mbetur edhe pak ditë dhe shpresoj që kjo të bëhet sa më parë që të jetë e mundur dhe të shohim rezultatin e kësaj seance. Mirëpo unë nuk mund ta paragjykoj”, u shpreh Osmani.
Presidentja është deklaruar edhe lidhur me RTK-në, ku mbi 700 punëtorë nuk kanë marr pagat e muajit tetor.
“Si presidente e vendit tashmë e dini të gjithë ju në RTK që këtë çështje e kam ngritur në takim me liderët politikë, si në takimin e përbashkët, ashtu edhe në takime të ndara. Kam shprehur gatishmërinë e plotë që, në rast se partitë opozitare nuk dëshirojnë ta pranojnë një nismë legjislative të nisur nga ana e qeverisë, atëherë këtë mund ta bëj unë, mirëpo duhet të shprehet gatishmëri nga ana e partive që të votohet diçka e tillë në Kuvend. Mirëpo, deri më tani nuk kam përgjigje nëse ka gatishmëri nga partitë që kanë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës të votojnë…”, tha ajo.
Ajo tha se ka gatishmëri nga ana e saj që qysh nesër ta dërgoj kërkesën në Kuvend.
“…Unë mendoj që është e domosdoshme, e lehtë të kalohet një vendim i tillë. Pra, gatishmërinë e kam që qysh nesër të dërgojmë kërkesën në Kuvend. Këto janë çështje që janë të zgjidhshme, mund të bëhet edhe brenda Kuvendit me iniciativë të vetë deputetëve, pra ka mundësi të zgjidhet kjo çështje, mirëpo nuk kam përgjigje.
Përveç pagave në RTK, siç e dini e kam ngritur edhe çështjen e Planit të Rritjes që është mbi 800 milionë euro, çështjen e marrëveshjes me Bankën Botërore, ku në fund të dhjetorit janë 100 milionë euro, por janë edhe mbi 200 milionë të tjera në fillim të vitit që mund të humben nëse nuk ratifikohen. Pra, po flasim për mbi 1 miliard euro, që është diku 1/4 e buxhetit të Kosovës, e që Kosova nuk do të duhej t’i humbiste, por do të duhej t’i përfitonte”, theksoi Osmani.
Ajo përmendi edhe për zgjatjen buxhetore. /Telegrafi/
