Malisheva do të bëjë gara në Superligën e Kosovës në futboll edhe në edicionin e ardhshëm pasi e fitoi ndeshjen vendimtare të barazhit kundër Vushtrrisë.
Të shtunën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Malisheva e drejtuar nga trajneri Arsim Thaqi, e fitoi me rezultatin 3:1 ndeshjen e cila mori vëmendjen e tifozëve pak pa përfunduar koha e rregullt.
Tifozët e Vushtrrisë demoluan portën që ishte pranë tribunës ku ata ishin të vendosur, ndërsa thyen edhe një numër të konsiderueshëm të karrigeve.
Malishevasit që debutuan në Superligë vitin e kaluar, kaluan në avantazh që në minutën e 17-të.
Ronald Sobowale harkoi nga e djathta dhe e gjeti Yoan Marc-Olivierin që mposhti me gjuajtje të fuqishme portierin Petrit Tahiri.
Mërgim Pefqeli e dyfishoi epërsinë në minutën e 26-të. Pefqeli nuk e pati problem të shënonte në portën e zbrazët, pas asistimit të Marc-Olivierit.
Pak para se të shënohej goli i tretë nga Pefqeli, ishin tifozët e Vushtrrisë “Forca” që morën vëmendjen.
Ata demoluan portën që ishte afër tyre në tribunën jugore kur gjyqtari kryesor i takimit, Gramoz Shala, në minutën e 77-të të ndeshjes, akordoi penallti. Sipas Shalës, Edon Pasoma i Vushtrrisë shkaktoi ndërhyrje të palejuar në Pefqelin brenda në zonë.
Kjo shkaktoi pakënaqësi te tifozët e Vushtrrisë, të cilët fillimisht e shqyen rrjetën e portës që kishin afër, e më pas thyen edhe karriget në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Pas këtij incidenti ka ndërhyrë njësia speciale që e zbrazi tribunën ku ishin të vendosur tifozët vushtrrias.
Ndeshja rinisi me 15-të minuta vonesë, ndërsa Pefqeli e shënoi edhe golin e tretë të Malishevës.
Medin Gashi i Vushtrrisë e ngushtoi epërsinë e Malishevës në minutën e 107-të. Gashi 16-vjeçar, realizoi gol me kokë nga afërsia dhe e mposhti portierin Flamur Gashi.
Malisheva pjesën e rregullt të kampionatit e mbylli në pozitën e tetë në tabelën e Superligës me 48 pikë, dy më pak se Drenica e vendit të gjashtë e Dukagjini i vendit të shtatë.
Ndërkohë, Vushtrria që sivjet feston 100 vjetorin e themelimit të klubit, përfundoi në vendin e dytë në Grupin B të Ligës së Parë, me 46 pikë.
Arriti ta fitonte ndeshjen e parë të barazhit me Lirinë në ekzekutimin e penalltive 5:3 javën e kaluar në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, por nuk e përsëriti suksesin e njëjtë në Podujevë.