Ka filluar së zbatuari projekti “Entrepreneur in Development” përmes së cilit synohet “Fuqizimi i studentëve përmes zhvillimit të aftësive sipërmarrëse”, nga MakerSpace Innovation Center dhe Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren.
Nga Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar midis Universitetit dhe MakerSpace Innovation Center, bëhet e ditur se rreth 20 studentë dhe 4 anëtarë të stafit akademik do të përfitojnë nga ky program, duke marrë trajnime të drejtpërdrejta, mentorim dhe mundësi për të punuar në projekte reale. Qëllimi theksohet se është që të rinjtë të pajisen me njohuri praktike dhe të marrin përvoja të reja që do t’i përgatisin për sfidat e një tregu pune gjithnjë e më kërkues.
“Ky projekt është dizajnuar për të frymëzuar dhe fuqizuar të rinjtë, duke u ofruar atyre mundësi për të ndjekur pasionet dhe idetë e tyre në një mjedis mbështetës dhe bashkëpunues. Bashkëpunimi me MakerSpace Innovation Center është një hap i rëndësishëm për komunitetin e studentëve në Prizren e më gjerë, i cili do të ketë akses të zgjeruar në burime inovative dhe përkrahje profesionale, duke i bërë më të sigurt në hapat e parë të karrierës së tyre në botën e biznesit dhe teknologjisë.”, shkruan Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” në Facebook.
Ndërkaq, Qendra e Inovacionit “Makerspace” ka theksuar se ky bashkëpunim synon krijimin e një ambienti të favorshëm për zhvillim për studentët, inovatorët dhe ndërmarrësit.
“Marrëveshja zyrtarizon partneritetin midis MICP dhe UUHP, duke bashkuar forcat e këtyre dy institucioneve për rritjen dhe zhvillimin e Prizrenit dhe më gjerë. Me qëllim të përbashkët nxitjen e inovacionit, partneriteti përqendrohet në aktivitete akademike dhe jashtëakademike, prej të cilave do të përfitojnë institucionet, komuniteti dhe rajoni i gjerë.”, shkruan Makerspace.
Tutje, Makerspace bën të ditur se çka pritet të ofrojë bashkëpunimi me Universitetin.
“Bashkëpunimi ndërmjet MICP dhe UUHP përfshin disa fusha kryesore, duke përfshirë organizimin e një strukture në Prizren që do të ofrojë hapësira dhe resurse për biznese startup dhe ndërmarrësit në përgjithësi. Një tjetër fokus i rëndësishëm është komercializimi i kërkimeve akademike, duke i kthyer ato në ndërmarrje të qëndrueshme dhe duke forcuar lidhjen midis akademisë dhe industrisë. Programet e inkubimit dhe akselerimit, si dhe sesionet e prezantimit për sigurimin e financimeve/investimeve, do të ndihmojnë studentët dhe ndërmarrësit të zhvillojnë idetë e tyre në biznese të suksesshme.”, njofton Makerspace.
Një pjesë tjetër e rëndësishme e këtij bashkëpunimi, theksohet që është edhe ofrimi i praktikave dhe mundësive të punës për studentët, duke i ndihmuar ata të fitojnë përvojë praktike.
“UUHP dhe MICP do të bashkëpunojnë për të siguruar fonde për projekte të përbashkëta dhe për të krijuar më shumë mundësi punësimi për studentët, në bashkëpunim me Qendrën e Karrierës dhe Qendrën për Kërkim, Inovacion dhe Transferim të Dijes. “Ky memorandum bashkëpunimi është një hap i rëndësishëm drejt një ekosistemi më të fortë inovacioni dhe ndërmarrësie në Prizren dhe më gjerë. Ai premton të krijojë mundësi të reja për studentët, inovatorët dhe komunitetin e biznesit, duke lidhur akademinë me industrinë dhe duke rritur përkrahjen për biznese startup dhe ndërmarrësit në rajon.”, shkruan në fund Makerspace./TVPrizreni/