LAJME

Maji 2026, muaji i dytë më i ngrohtë në histori; Kosova me reshje nën mesatare, por lumenj të qëndrueshëm

Maji 2026, muaji i dytë më i ngrohtë në histori; Kosova me reshje nën mesatare, por lumenj të qëndrueshëm
TV Prizreni
TV Prizreni
11 Qershor 2026, 08:37
Sipas Institutit Hidrometeorolgjik të Kosovës, në raportin klimatik dhe hidrologjik, thuhet se maji i vitit 2026 është renditur si muaji i dytë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në nivel global, sipas raportit më të fundit të Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus.
Raporti klimatik dhe hidrologjik evidenton se Evropa gjatë këtij muaji u përball me kontraste të theksuara klimatike, duke kaluar nga temperatura më të ulëta se mesatarja në valë të hershme dhe intensive të të nxehtit.
Sipas raportit, Franca, Britania e Madhe, Irlanda dhe Portugalia shënuan muajin maj më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë. Në të njëjtën kohë, pjesë të mëdha të Evropës Perëndimore, Qendrore dhe Lindore përjetuan kushte më të thata se zakonisht, ndërsa Turqia, Bullgaria dhe Moldavia u goditën nga përmbytje të mëdha.
Prishtina me reshje dukshëm nën mesatare
Të dhënat klimatike për Prishtinën tregojnë se temperatura mesatare historike për muajin maj është 15.2 gradë Celsius, ndërsa rekordi i temperaturës maksimale për këtë muaj mbetet 32.3 gradë Celsius, i regjistruar më 30 maj 1969.
Ndërkaq, reshjet gjatë majit 2026 ishin dukshëm më të ulëta krahasuar me mesataren shumëvjeçare. Në kryeqytet u regjistruan vetëm 32.8 milimetra reshje për metër katror, krahasuar me mesataren prej 60.4 milimetrash, ose rreth 45.7 për qind më pak se zakonisht.
Raporti vë në dukje se qershori ka nisur me temperatura të larta, duke arritur deri në 31.4 gradë Celsius më 9 qershor.
Drini i Bardhë dhe Lepenci me rrjedha stabile
Sa i përket gjendjes hidrologjike, raporti thekson se shumica e rajoneve të thata në Evropë regjistruan rrjedha lumenjsh nën mesatare gjatë muajit maj.
Në Kosovë, situata paraqitet më e favorshme në pellgun e Drinit të Bardhë dhe të Lepencit, ku rrjedhat lumore mbeten afër mesatares shumëvjeçare. Sipas ekspertëve, në këtë stabilitet ka ndikuar shtresa e borës dhe shkrirja më e ngadaltë e saj në zonat malore të Alpeve Shqiptare dhe Malit Sharr, si pasojë e temperaturave relativisht të ulëta gjatë pranverës.
Në anën tjetër, pellgjet e Ibrit dhe Moravës së Binçës aktualisht po përballen me rrjedha nën mesatare.
Përgaditur nga B. Kastrati

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika