LAJME

Macron uron Osmanin për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Macron uron Osmanin për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Shkurt 2025, 20:02

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka uruar presidenten Vjosa Osmani, duke rikonfirmuar mbështetjen e Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.

“Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë”, shkruan Macron.

Tutje, Macron theksoi se shpreson që të dy shtetet të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë.

“Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë”, thuhet tutje në urim.

Më tej, presidenti Macron ka falënderuar presidenten Osmani për pjesëmarrjen në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre-Dame.

“Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, ka shkruar ndër të tjera në urimin e tij, Macron.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika