Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht thelbësor për integrimin e të dy vendeve në Bashkimin Evropian.
Këtë deklaratë Macron e ka bërë pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Folëm edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Franca është thellësisht e përkushtuar për këtë. Është kusht thelbësor për integrimin e tyre evropian”, ka shkruar Macron në llogarinë e tij në platformën “x”.
Macron ka thënë se në këtë takim ka theksuar angazhimin për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ata kanë folur edhe për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.
Pas takimit, ka folur edhe Vuçiq, i cili u tha gazetarëve se me Macronin diskutoi për çështjet gjeopolitike dhe për situatën në Serbi.
“Kemi diskutuar për një sërë çështjesh lidhur me të ardhmen evropiane të Serbisë dhe i kërkova Francës që të marrë pjesë në Expo 2027 në Beograd, dhe mendoj se kemi marrë një përgjigje pozitive”, tha Vuçiq.
Vuçiq deklaroi se çështja më e vështirë është situata në Republikën Sërpska, entitet në Bosnje e Hercegovinë.
“Kam luftuar që të gjendet një zgjidhje kompromisi. Nuk mund ta pranoj që e vetmja zgjidhje është arrestimi [i presidentit të Republikës Sërpska, Millorad] i Dodikut. Kjo nuk është zgjidhje, është krijim i problemeve”, tha ai, duke shtuar se i ka paraqitur idetë e tij për zgjidhjen e kësaj krize, por pa specifikuar se për çfarë idesh bëhet fjalë.