Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka deklaruar se ai mbështet vazhdimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në një letër dërguar homologut të tij serbe Aleksandar Vuçiq me rastin e ditës së shtetit serb, presidenti Macron ka thënë se mbështet arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
“Ndërsa diskutuam në Paris, unë mbetem i vendosur të mbështes përpjekjet në lidhje me dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me mbështetjen e ndërmjetësimit evropian, që synon arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që do të kontribuojë në stabilitetin e të gjithë rajonit”, ka thënë Macron.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur në Bruksel që nga viti 2011 për çështje teknike dhe më pas ka vazhduar në nivelin e përfaqësimit të lartë politik, ku janë arritur më shumë se 30 marrëveshje.
Një pjesë madhe e këtyre marrëveshjeve ende nuk janë zbatuar ose janë zbatuar pjesërisht.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden në një letër dërguar Vuçiq, ka kërkuar nga ky i fundit që të njohë pavarësinë e Kosovës.