Për të dytën herë me ardhë, ka dështuar mbajtja e seancës së rregullt të Kuvendit të Prizrenit, për shkak të mungesës së kuorumit, edhe pse në fillim, pas braktisjes së sallës nga kuvendarët e LVV dhe LDK, rendin e ditës e miratuan 22 kuvendarë të pranishëm.
Lidhur me situatën e fundit në Kuvendin e Prizrenit, Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, përmes një komunikate për media ka thënë se pushteti lokal i udhëhequr nga PDK dhe Shaqir Totaj, edhe pse ka degraduar si kurrë më parë duke dhënë resurse publike në shërbim të blerjes së votës së kuvendarëve.
Komunikata e plotë nga LVV:
Pushteti i pazareve në krizë të numrave në Kuvendit Komunal
Të nderuar qytetarë të komunës së Prizrenit.
Pushteti lokal i udhëhequr nga PDK dhe Shaqir Totaj, edhe pse ka degraduar si kurrë më parë duke dhënë resurse publike në shërbim të blerjes së votës së kuvendarëve, prap se prap po duket që pazaret e reja po i mbulojnë parazet e vjetra, e për pasojë Shaqir Totaj është në krizë të numrave në Kuvend.
Edhe sot, për të dytën herë radhazi dështoi mbajtja e mbledhjes së Kuvendit Komunal në Komunën e Prizrenit për shkak të mungesës së korumit.
Si Lëvizje VETËVENDOSJE! dhe opozita në tërësi, sot lëshuam mbledhjen e Kuvendit Komunal pasi që nuk dëshirojmë të bëhemi hisedar në shkeljet e ligjit që po i bënë pushteti lokal, e gjithë kjo si pasojë e këmbënguljes së pushtetit për të vazhduar seancën kundërligjshëm edhe pse sipas ligjit në fuqi, pikat e rendit të ditës duhej të shqyrtoheshin paraprakisht në Komitetin për Politikë dhe Financa, por që kishte dështuar një gjë e tillë për shkak se pushteti nuk i ka numrat për vendimarrje.
Si Lëvizje VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren, përmes grupit tonë të Kuvendarëve i bëjmë thirrje të gjithë kuvendarëve, sidomos atyre që kanë fituar votat e qytetarëve nën petkun e opozitarit, që të jenë në krye të detyrës duke mos iu nënshtruar diktatit të Shaqir Totajt në dëm të interesit të qytetarëve të komunës tonë.
Grupi i Kuvendarëve të Lëvizjes në Kuvendin Komunal në Prizren.