Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prizren ka reaguar pas publikimit të operatorit përfitues nga shpallja publike e komunës së Prizrenit për ndarjen e vijave të transportit publik të udhëtarëve në komunikacionin urban për vitin 2024/2025. LVV në Prizren është shprehur se komuna e Prizrenit po manipulon me paranë publike, pasi sipas tyre, nga ky tender kanë përfituar miqtë e kryetarit, Shaqir Totaj.
“Keqpërdorimet dhe manipulimet në komunën e Prizrenit kanë marr përmasa drastike. Përveç keqqeverisjes dhe vjedhjes së parasë publike, kurdisja e tenderëve në dobi të dostave të Shaqir Totajt nuk ka të ndalur. Me rastin e shpalljes publike për ndarjen e vijave të transportit publik të udhëtarëve në komunikacionin urban për vitin 2024/2025, në njoftimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ofertave të datës 14.08.2024, përfitues është shpallur operatori “EFA TOURISM LL.C.”. Në regjistrat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, operatori “EFA TOURISM LL.C.” figuron të jetë themeluar me datën 22 prill 2024, në emrin e personit të quajtur Emin Altunç. Ajo çka është e habitshme është se numri kontaktues i biznesit në fjalë është i zv’kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prizrenit Levent Buş. Levent Buş ndonëse është anëtarë i KDTP-së, është person i afërt me Shaqir Totajn dhe në Komitetin për Politikë dhe Financa përfaqëson PDK-në.”, thuhet në reagimin e LVV-së.





