LAJME

LVV-ja pranon “ofertën” e Aleancës për presidentin

LVV-ja pranon “ofertën” e Aleancës për presidentin
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Qershor 2026, 17:42

Idenë e Besnik Tahirit që për president të jenë dy kandidatë, një nga Vetëvendosja dhe një nga ish-opozita, e kanë mirëpritur në partinë që ka fituar zgjedhjet – VV. Sipas deputetit të zgjedhur të VV-së, Adnan Rrustemi, një skenar i tillë siguron kuorumin e nevojshëm. Por, në LDK kanë thënë se për postin e kreut të shtetit, e kanë kandidatin e vet.

Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë thënë se një nga zgjidhjet për zgjedhjen e presidentit është edhe gara mes një kandidati të saj me një që do ta jepnin bashkërisht partitë që kanë qenë në opozitë.

Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka thënë se presidenti është përgjegjësi e të gjithë deputetëve, e jo vetëm e atyre që përbëjnë shumicën parlamentare.

Sipas tij, një garë mes kandidatit të Vetëvendosjes dhe një kandidati të përbashkët të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës do ta tejkalonte sfidën kryesore, kuorumin.

“Ka mënyra të ndryshme për ta tejkaluar bllokadën nëse ka vullnet politik. Kjo është një nga mënyrat. Opozita ka mjaftueshëm nënshkrime për ta nxjerrë një kandidat, po ta bënte një gjë të tillë herën e kaluar, nuk do t’i kishim zgjedhjet e 7 qershorit”, ka thënë Rrustemi.

Të hënën, deputeti i zgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri ka thënë se zgjidhja për të tejkaluar një ngërç të ri institucional do të ishte nëse partitë e ish-opozitës rreshtohen pas Ramush Haradinajt si kandidat për president e përball tij në garë të jetë një kandidat i VV-së, si parti fituese e zgjedhjeve.

Në një skenar të tillë, me 57 deputetë të Vetëvendosjes dhe 47 të ish-opozitës do të sigurohej kuorumi i nevojshëm prej 80 deputetësh në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit.

KOHA ka adresuar pyetje te zyrtarë të Partisë Demokratike lidhur me këtë ide, por nuk ka marrë përgjigje.

E nënkryetari i Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri, ka thënë se Vjosa Osmani është kandidate e partisë për presidente dhe se kjo nuk ndryshon.

Ai ka thënë që parimet për bashkëpunim të mundshëm veçse i ka paraqitur.

“Ka 10 ditë që i kam paraqitur parimet gjithëpërfshirëse për bashkëpunim, nuk del jashtë parimeve të veta, e në veçanti për partinë e parë, partinë e dytë edhe partinë e pestë”, ka thënë ai.

Një propozim për zgjidhje e ka dhënë edhe deputeti i zgjedhur nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim ka thënë se partitë shqiptare duhet të bëhen bashkë.

“Një planifikim gjithëpërfshirës, mos të jetë vetëm fazë pas fazës ose të krijohet një pjesë e institucioneve pa pasur plan çfarë bëhet me institucionet e tjera. Ta përkthej në një fjali më popullore, është shumë me rëndësi që të kemi të gjithë një pako që të mos të mundësojmë që armiqtë e institucioneve të Kosovës të ndikojnë me disa presione”, ka thënë Rashiq.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit janë mbajtur pasi deputetët e Legjislaturës X kanë dështuar të zgjedhin presidentin./koha.net/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika