LAJME

LVV-ja nuk e mohon marrëveshjen në parim me LDK-në

LVV-ja nuk e mohon marrëveshjen në parim me LDK-në
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Korrik 2026, 21:09

Një ditë pasi KOHA ka raportuar për arritjen e marrëveshjes në parim për bashkëqeverisje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, eksponentë të partisë fituese të zgjedhjeve kanë refuzuar të deklarohen prerazi për të. Ata nuk e kanë mohuar ujdinë. E politologu Valon Murati ka thënë se zhvillimet e brendshme në LDK japin pak shpresë për marrëveshje finale

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk e kanë mohuar arritjen e marrëveshjes në parim, për koalicion me Lidhjen Demokratike.

Deputeti i zgjedhur i kësaj partie, i cili është edhe ministër në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë të mos jetë i informuar për këtë zhvillim, për të cilin KOHA ka raportuar të mërkurën.

“Unë nuk kam ndonjë informacion për këtë çështje, prandaj edhe nuk mund ta mohoj e as ta pohoj. Mirëpo, e di që përpjekjet do të vazhdojnë dhe e di që kryeministri nuk do të ndalet vetëm me takimet dhe diskutimet që ka pasur, por do të vazhdojë edhe më tutje në mënyrë që të gjejë një zgjidhje”, ka thënë Maqedonci.

Burime të KOHËS kanë thënë një ditë më parë se në takimin e së premtes së shkuar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë pajtuar në parim për marrëveshje koalicioni.
As zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka, nuk e ka mohuar marrëveshjen në parim, kur është pyetur për të.

“Ne përpiqemi maksimalisht. Jemi aktivë e konstruktivë për takime dhe bashkëbisedime, të hapur e të sinqertë për marrëveshje. Shpresojmë që opozita nuk do të barrikadohet kundër dhe të na çojë në zgjedhje përsëri”, ka thënë Manxhuka.
Sipas informatave të siguruara, LDK-ja do të përfshihet në koalicion qeverisës duke marrë zëvendëskryeministrin e parë dhe tri ministri, e edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit.

Abdixhiku të mërkurën mbrëma ka thënë se i ka pezulluar negociatat me Vetëvendosjen, shkaku i inicimit të shkarkimit të tij. Ai ka akuzuar zyrtarë të LDK-së se duan ta bllokojnë formimin e institucioneve të reja.
Profesori i shkencave politike, Valon Murati, ka thënë se zhvillimet e brendshme në LDK japin pak shpresë për marrëveshje.

“Vetë situata në të cilën ndodhet Lidhja Demokratike e Kosovës nuk jep shumë shpresë që aty ka një unitet dhe kohezion që të vazhdohet me ndonjë koalicion. Pra, edhe po të ketë kohezion, edhe po të ketë unitet, numrat janë shumë të brishtë, ta them ashtu, e për më tepër zoti Kurti prapë i vë kushtet e veta mbi 84-85 deputetë, të cilat pastaj me Lidhjen Demokratike të Kosovës assesi nuk i zhvilluan”, ka thënë Murati.
LVV-ja dhe LDK-ja kanë lidhur koalicion pas zgjedhjeve të 2019-s. Por, bashkëqeverisja ka zgjatur më pak se dy muaj të plotë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika