Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur edhe për raportet që ka ky subjekt me u.d e presidentit Vjosa Osmanin.
Haziri ka shtuar se pakënaqësia me vendimin e Këshillit të Përgjithshëm dhe të lidershipit të LDK-së është bërë nga vetë ajo. Sipas tij, Osmani nuk ka dashur të vazhdojë në mënyrën e njëjtë dhe e ka bërë publike.
“Unë më shumë e shoh si një iniciativë politike e cila mund ta çojë drejt një rezultati të caktuar. Pritjet e mija kanë qenë krejt ndryshe. LDK-ja për këto 20 vjet pas luftës i ka nxjerrë 12 parti politike dhe iniciativa që kanë dalë nga pakënaqësia”, ka thënë ai, duke potencuar se nuk duhet lejuar që këto gabime të ndodhin.
Ai ka thënë se LDK-ja do të ketë dhimbje politike nga largimi i Vjosa Osmanit.
“Është investuar së paku prej vitit 2007, në momentin kur ka hyrë në zyre të presidentit si këshilltare, pastaj është avancu. Edhe Vjosa do të ndjejë mungesën e partisë që e ka familje. Kush ka dalë prej LDK-së, shihet tash ku është. Ende po e shoh që ka mundësi që të riparohet ky raport”, ka thënë ai.
LDK-ja nuk është e interesuar të shkaktojë vonesa dhe shkarje që çojnë në jostabilitet, ka thënë nënkryetari LDK-së, Lutfi Haziri, në KTV.
“Sa më shpejtë, edhe më drejtë e më qartë me zbardhë agjendën edhe të prodhojë stabilitet politik. Nëse e gjejmë një emër për president prej partive politike atëherë e votojmë, nëse s’po bën i partive politike atëherë a bën me qenë jashtë partiak, një autoritet. Ka shumë emra të mirë në Kosovë”, ka thënë Haziri.
Ai ka theksuar se nuk ka emra konkretë për presidentin.
“LDK-ja nuk ka diskutuar as për emrat e vet as për emra të tjerë. Ne jemi sjellë në këtë proces me më shumë kod moral sepse sa ka qenë z. Thaçi në zyre kemi dashur ta respektojmë autoritetin e presidentit. Ende nuk kemi biseduar për emër, por po shihet se disponimi i partive politike është për emra brenda partiakë, për momentin. Nëse partitë tërhiqen nga kandidaturat partiake LDK-ja e mirëpret, neve nuk na pengon”, ka thënë Haziri.
Sipas tij nëse nuk zgjidhet çështja e presidentit atëherë shkohet në zgjedhje.
“Por a prodhojnë zgjedhjet stabilitet në të ardhmen. A prodhohet prapë mundësia që pas zgjedhjeve Kuvendi përveç ekzekutivit me e zgjedhë edhe presidentin. Sepse ju e dini që nëse për 40 ditë nuk mbërrin me e zgjedhë presidentin prapë shpërndahet parlamenti”, është shprehur Haziri.