LAJME

Lushaku: Rryma po vidhet në 87% të shtëpive për shkak të neglizhencës së Qeverisë

Lushaku: Rryma po vidhet në 87% të shtëpive për shkak të neglizhencës së Qeverisë
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Prill 2026, 09:52

Deputetja e LDK-së Jehona Lushaku ka thënë se për shkak të neglizhencës së Qeverisë në 87 për qind të shtëpive në Kosovë është duke u vjedhur energjia elektrike.

Në deklarimet jashtë rendit të ditës, në seancën plenare të Kuvendit, Lushaku, tek ka folur  për gjetjet e LDK-së se ora e 87 për qind të njehsorëve të energjisë elektrike nuk përputhet me orët reale, ka thënë së kostoja e energjisë së shpenzuar nuk matet saktë.  

“Sot derisa ne po flasim në rreth 87 për qind të shtëpive është duke u vjedhur energjia dhe nga kush, nga shteti, për mungese dhe neglizhencë të kësaj qeverie për t’i konstatuar që njehsorët në shtëpitë tona nuk janë duke e llogaritur energjinë e shpenzuar saktë”, ka deklaruar Lushaku.

Lushaku ka kërkuar që Qeveria të mos e lejojë largimin e njehsorëve, pasi sipas saj kjo po bëhet për të fshehur vjedhjen.

“Ne qe 6 vjet jemi të vjedhur. Kemi kërkuar përgjegjësi. Dolën në konferencë si KEDS-i si Ministria dhe e konfirmuan pasaktësinë dhe shqiptuan disa gjoba. Kjo është e papranueshme. Si LDK kemi ofruar provat tona dhe sot nga Kuvendi kërkojmë që Qeveria të mos e lejojë ndryshimin e njehsorëve nëpër shtëpi për ta fshehur vjedhjen. Paratë t’u kthehen cent më cent qytetarëve”, ka shtuar Lushaku.

Ministria e Industrisë e ka gjobitur KEDS-in me 30 mijë euro për shkak të konstatimit për gjashtë njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit.

Gjatë verifikimit ishte hasur në sërë njehsorë me afat të skaduar.

Ndërsa nga hetimi i deritashëm i orëve të dyshimta, sipas Ministrisë, rezultatet e deritanishme nga analizat laboratorike të kryera në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës kanë evidentuar pasaktësi në regjistrimin e orës dhe datës në njehsorët e testuar. Ministria ka thënë se për to i ka dorëzuar zyrtarisht KESCO-s për kompensimin e konsumatorëve të dëmtuar.

Gjatë këtij muaji Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë për të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të KEDS-it, për të cilët ekziston dyshimi se nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.

Dyshimet u riaktualizuan nga LDK-ja, sekretari organizativ i së cilës, Visar Azemi, bëri të ditur se pas një hulumtimi ka dalë se 87% e njehsorëve regjistrojnë rrymën në kohë të pasaktë./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika