Për nderë të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, të shtunën, Lulu’s Dance Academy, mbajti ekspozitën lëvizëse “Vagoni i jetës” dhe një panel diskutimi me temën “Sjellja dhe pasoja”.
“Vagoni i jetës” është një ekspozitë ku u paraqitën pasojat e veprimeve tona si zinxhir nga personi pranues direkt i veprimit tonë deri tek persona pakufi pranues të tërthort të veprimit tonë.
Koreografja Luljeta Braha në këtë ekspozitë përmes pantomimës shtjelloi katër ngjarje të ndryshme ku u elaboruan aspektet “veprim – pasojë” të zhvillimit të shprehive të njerëzve.
Skenarët u paraqitën me performim nga kërcimtarët e organizatës dhe përmbanin fotografi profesionale të skenave kulmore të temës.
Në panelin e diskutimit, panelistet Tringa Kasemi – aktiviste, Erolina Morina – psikologe, Esen Kaymakçi – ndërmarrëse dhe Erza Galani – koreografe, diskutuan për sjelljen nga këndvështrimet e tyre profesionale.
“Qëllimi i këtij aktiviteti ishte vënia në pah e faktit se veprimet janë si vagonët e trenit: secili vagon përcjellë dhe vazhdon drejtimin e vagonit që ka para.
Ajo çfarë ne duhet të bëjmë është të shkëpusim vagonin tonë duke mos përcjell një tren që ec në drejtim jo të duhur dhe ta krijojmë një tren të ri i cili do të pasohet nga vagonë të tjerë e së bashku të ecim në drejtim të duhur” shpjegoi drejtoresha e shoqatës Sijeta Braha.
Të njëjtën Ekspozitë Lulu’s Dance Academy javën e kaluar e shfaqi edhe para publikut të Tiranës.