Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë të ditur se zhvilloi takim me drejtorin e Institutit të Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi ku biseduan për raportin 6 mujor të procesit për mbledhje të dëshmive e dokumentim të krimeve.
Kurti përmes një shkrimi bëri të ditur se po vazhdojnë të mbildhen të gjitha raportet nga Organizata vendore e ndërkombëtare, hulumtuesë për krimet e kryera në Kosovë.
“Të gjitha dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, të ruajtura nga organizata vendore e ndërkombëtare, nga hulumtues e dokumentues, bashkë me dëshmi të pambledhura deri më tash, vazhdojnë të mbledhen nga institucionet e Republikës së Kosovës. Për narracione të vërteta dhe të sakta për masakrat, torturat, dhunimet, pengjet e luftës, zhdukjet me dhunë, plaçkitjet, shkatërrimet dhe të gjitha krimet e kryera gjatë luftës, për kujtesën tonë kolektive dhe për trashëgiminë tonë, e kemi të funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë”- ka shkruar Kurti.
Kryeministri potencoi se ky process “është i rëndësishëm për Republikën, të kaluarën e të ardhmen tonë dhe për paqen e qëndrueshme”.