Në kuadër të bashkëpunimit me institucionet e ndryshme dhe të ndërtimit e thellimit të partneritetit profesional, të premten, drejtues të lartë të kompanisë gjermane ASB në Gjermani dhe të degëve të saj në rajonin e Evropës Juglindore, kanë bërë një vizitë në “Loyola-Gymnasium”, për t’u njohur nga afër me të arriturat e deritanishme të këtij institucioni të rëndësishëm edukativo-arsimor në Kosovë.
Gjatë kësaj vizite, z. Knut Fleckenstein, drejtues i Bordit të ASB-së dhe i Samaritan International, shoqërohej nga z. Stefan Mette, anëtar i Bordit, z. Elmir Bojaxhiq, drejtor i ASB-së për Evropën Juglindore, Dafina Hoxha, drejtoreshë e ASB-së për Kosovën dhe Vedat Haxhiosmanoviq, inxhinier i ASB-së. Mysafirët, gjatë kësaj vizite në ALG “Loyola-Gymnasium” janë pritur nga M. Lindita Spaqi, u.d. drejtoreshë ekzekutive e ALG-së dhe drejtori i “Loyola-Gymnasium”, z. Enver Sulaj, të cilët i njoftuan mysafirët me arritjet, perspektivat zhvillimore dhe sfidat e funksionimit të këtij institucioni edukativo-arsimor, në rrethanat e ndryshimeve të mëdha shoqërore, që prekin drejtpërdrejt edhe sistemin arsimor.
Pas vizitës, mysafirët u shprehën të impresionuar nga atmosfera e punës dhe planet ambicioze, duke premtuar mbështetjen e tyre dhe thellimin e bashkëpunimit, në të mirë të zhvillimit të mëtejmë të “Loyola-Gymnasium”.





