Valentina Bytyqi, zëdhënëse e ATK-së, thotë se sa ka qenë dispozitë ligjore funksionimi i lojërave shpërblyese në Ligjin për Lojërat e Fatit, bizneset që kanë organizuar këso lloj veprimtarish kanë qenë të detyruara të marrin miratimin e organizimit nga ATK-ja, porse më nuk ndodh një gjë e tillë
Prishtinë, 31 tetor – Që nga prilli i vitit 2019, kur është shfuqizuar Ligji për Lojërat e Fatit, lojërat shpërblyese organizohen e mbahen pa kontroll nga askush.
Ka më shumë se dy vjet që shteti i Kosovës nuk ka kontroll mbi këtë veprimtari, për të cilën, sa ka qenë ligji në fuqi, monitorimin e ka kryer Administrata Tatimore e Kosovës.
Valentina Bytyqi, zëdhënëse e ATK-së, thotë se sa ka qenë dispozitë ligjore funksionimi i lojërave shpërblyese në Ligjin për Lojërat e Fatit, bizneset që kanë organizuar këso lloj veprimtarish kanë qenë të detyruara të marrin miratimin e organizimit nga ATK-ja, porse më nuk ndodh një gjë e tillë.
“Prej momentit kur është shfuqizuar Ligji për Lojërat e Fatit në të cilin kemi pasur kompetencë për monitorimin dhe dhënien e licencave për lojërat e fatit, njëkohësisht edhe për dhënien e miratimit për organizmin e lojërave shpërblyese, me shfuqizimin e atij ligji janë shfuqizuar të gjitha, ose janë hequr të gjitha kompetencat që kemi pasur si institucion”, ka thënë Bytyqi.
Në Ligjin për Lojërat e Fatit që është shfuqizuar, shpërblimet nga konkurset shpërblyese lejohej të jepeshin në produkte, shërbime ose edhe në para të gatshme, por pa tejkaluar shumën një mijë euro.
Në mungesë të mbulueshmërisë ligjore, në Kosovë kushdo mund të organizojë lojëra shpërblyese me shifra të larta shpërblimesh, pa pasur përgjegjësi ligjore për skemat e mundshme të mashtrimit.
Ani pse ATK-ja nuk ka më kompetencë për monitorimin e kësaj fushe, fillimisht për një gjë të tillë nga Ministria e Financave nuk kanë pasur njohuri, pasi për pyetjet shtruar atyre e kanë referuar KOHËN që përgjigjet t’i kërkojnë në ATK.
Por për këtë çështje ka pasur një përgjigje shefi i kësaj ministrie, Hekuran Murati.
Derisa ka paralajmëruar rregullimin e organizimit të tyre, mungesën e mbulueshmërisë ligjore nuk e ka konsideruar fort problem, për shkak të ekzistencës së Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve.
“Ligji që ka rregulluar apo dispozita që e ka rregulluar këtë fushë është shfuqizuar tash e sa kohë, mirëpo, megjithatë, në kuadër të Ministrisë së Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është edhe Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, e që realisht do të duhej të trajtohej në këtë aspekt, pra, meqë kemi të bëjmë me lojëra shpërblyese që organizohen nga shitës të produkteve të caktuara dhe bëhet fjalë për mbrojtje të konsumatorit”, ka thënë ministri Murati.
Në këto lojëra shpërblyese, përveç të tjerash, jepen edhe banesa e makina luksoze në vlerë prej mijëra eurosh ose të paktën ashtu proklamohet.