Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se së bashku me dy ish-deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Sylën dhe Adem Grabovcin, kanë vizituar familjet e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, të cilët aktualisht po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë.
Lladrovci ka thënë se kanë shkuar në Burojë dhe në Mitrovicë, për të theksuar se mungesa e liderëve bëri që viti 2021 të ishte vit i rëndë për familjet e tyre, për institucionet e vendit dhe për të tjerët.
“Vendi ynë, atdhetarët dhe qytetarët, në rrugën e drejtë të çlirimit dhe lirisë, patën shumë vështirësi. Vendimi i Gjyqit të Hagës që po mban padrejtësisht larg nesh prijësit tanë, solli sfidën e re, të cilën besojmë fort se do ta kalojnë faqebardhë.”, ka shkruar ndër të tjerash Lladrovci në Facebook.
Ai ka thënë se i është përgjithmonë mirënjohës familjeve Thaçi, Veseli dhe të gjithë atyre që me kontribut i dolën në mbrojtje atdheut.
Postimi i plotë i Lladrovcit:
Së bashku, me miqtë e mi, Azem Sylën dhe Adem Grabovcin, kemi shkuar në Burojë dhe në Mitrovicë, te familja e Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit, për të theksuar se mungesa e liderëve tanë, bëri që viti 2021 të ishte vit i rëndë për familjet e tyre, për institucionet e vendit dhe të gjithë neve.
Vendi ynë, atdhetarët dhe qytetarët, në rrugën e drejtë të çlirimit dhe lirisë, patën shumë vështirësi.
Vendimi i Gjyqit të Hagës që po mban padrejtësisht larg nesh prijësit tanë, solli sfidën e re, të cilën besojmë fort se do ta kalojnë faqebardhë.
Përgjithmonë mirënjohës ndaj familjeve Thaçi, Veseli dhe të gjithë atyre që me kontribut i dolën në mbrojtje atdheut, shtetformimit e shtetndërtimit. Drejtësia vonon por fiton!