Prej orës 17:00 në Zuerich të Zvicrës tërhiqet shorti për fazën e plejofit për kualifikim në Botërorin “Katari 2022”.
Pjesë e plejofit janë 12 përfaqësuese evropiane, ndërsa tri prej tyre kualifikohen për në Botëror.
Në vazon e parë për short janë Italia, Portugalia, Rusia, Skocia, Suedia dhe Uellsi. Ndërkohë në vazon e dytë janë Austria, Çekia, Maqedonia e Veriut, Polonia, Turqia dhe Ukraina.
Përfaqësueset nga vazoja e parë do të jenë vendase në gjysmëfinale të plejofit. Ndërkohë nikoqiri i ndeshjeve finale do të përcaktohet me short.
Në plejof janë kualifikuar dhjetë përfaqësueset që ishin të dytat në grupet e tyre kualifikuese për Botëror. Austria dhe Çekia janë kualifikuar përmes Ligës së Kombeve. Ishin përfaqësueset më së larti të ranguara, prej atyre që fituan grupet në Ligën e Kombeve e që nuk ishin në dy pozitat e para në grupet kualifikuese për Botëror.
Gjysmëfinalet e plejofit luhen më 24 mars të vitit të ardhshëm. Ndërsa ndeshjet finale janë më 29 mars të vitit të ardhshëm. Janë tri finale që japin tri përfaqësueset e fundit evropiane që do të luajnë në Katar.