Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka vendosur që të mos u lejohet kandidimi 47 kandidatëve për deputetë nga partitë politike.
Me këtë rast, të gjithë këta kandidatë, sipas vendimit të PZAP-së, s’mund të zëvendësohen.
Kështu ka thënë për GazetaBlic edhe hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli.
Në një bisedë për GazetaBlic, Cakolli është shprehur se partitë politike kanë konsumuar afatin për zëvendësimin e tyre, teksa të njëtit nuk do të mund ta bëjnë më një gjë të tillë.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka shërbyer mirë për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për të marrë një vendim. Në kuadër të këtij vendimi, subjektet politike kanë konsumuar për zëvendësuar kandidatët e tyre. Listat e këtyre partive do të certifikohen pa kandidatët që janë dënuar, për sa kohë të kemi një vendim të Gjykatës Supreme. Këta kandidatë nuk do të konfigurojnë në lista dhe as në formularët. Pra, votat për 47 kandidatë do të vazhdojnë të jenë në rubrika, por që votat e tyre nuk do të numërohen. Në kuadër të këtij vendimi, listat do të jenë të zbrazëta”, është shprehur Cakolli.
Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur më 22 janar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi për të mos certifikuar listat me kandidatë për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate dhe disa parti të komuniteteve joshumicë. Në këtë mbledhje, Nisma Socialdemokrate nuk u certifikua as si parti.
Gjatë seancës së 22 janarit, anëtarët e KQZ-së miratuan listat me kandidatë që nuk ishin ndesh me ligjin apo të atyre partive, që kishin zëvendësuar emrat në listat e tyre pas verifikimit të kryer nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.