LAJME

Lirohen për qarkullim Jarinja dhe Bënjaku

Lirohen për qarkullim Jarinja dhe Bënjaku
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Dhjetor 2022, 13:08

Pikat kufitare me Serbinë, Jarinja dhe Bërnjaku, janë liruar për qarkullim. Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës, në një njoftim për media të lëshuar të premten.

Sipas Policisë të gjitha barrikadat që kanë qenë të vendosur në veri që nga 10 dhjetori, si pasojë e të cilave këto pika ishin mbyllur, janë larguar.

“Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikëkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikëkalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.

“Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme”, thuhet në njoftim.

Liria e lëvizjes, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë, thuhet se janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe për këtë theksohet se Policia e Kosovës në vazhdimësi do të angazhohet duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika