LAJME

“Liria ka Emër” merr mbështetje për marshin edhe nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu

“Liria ka Emër” merr mbështetje për marshin edhe nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Shkurt 2026, 11:46

Përfaqësuesit e platformës qytetare” Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, u pritën sot në takim nga kryetarja e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Siç bëhet e ditur në njoftim, në takim u diskutua për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet nesër në Prishtinë, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, dhe shokët e tyre që po gjykohen në Hagë, si dhe për rëndësinë e një mobilizimi dinjitoz në këtë moment vendimtar të procesit.

Eliza Hoxha theksoi se marshimi është shprehje e ndërgjegjes qytetare dhe e unitetit përtej dallimeve politike.

“Ky marsh është zë i qytetarëve për drejtësi dhe dinjitet. Është moment kur shoqëria jonë tregon se di të bashkohet për çështje që e tejkalojnë politikën,” u shpreh Hoxha.

Ismail Tasholli nënvizoi se pjesëmarrja masive do të jetë mesazh i qartë për respektimin e së vërtetës dhe të drejtësisë.

“Nesër, Prishtina do të jetë zëri i qytetarëve që kërkojnë drejtësi të paanshme dhe mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare,” tha Tasholli.

Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit vlerësoi angazhimin e platformës dhe rëndësinë e mobilizimit qytetar në këtë moment.

“Ju përgëzoj për angazhimin dhe mobilizimin qytetar. Do të jetë një marsh madhështor, sepse kur bëhet fjalë për vlerat e luftës çlirimtare, UÇK-ja na bashkon të gjithëve”, tha Haxhiu.

Në fund, platforma “Liria ka Emër” bën te ditur se falënderoi kryetaren e Kuvendit për pritjen dhe diskutimin konstruktiv, duke ritheksuar thirrjen që nesër qytetarët të bashkohen në marshin “Drejtësi, jo politikë” në Prishtinë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika