LAJME

Lira arrin nivelet më të ulëta, mijëra njerëz protestojnë në Turqi

Lira arrin nivelet më të ulëta, mijëra njerëz protestojnë në Turqi
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Dhjetor 2021, 16:27

Mijëra njerëz marshuan nëpër Stamboll të dielën pasi sindikatat denoncuan rritjen e varfërisë në vend dhe bënë thirrje për një rritje të pagës minimale.

Lira turke ka arritur nivelet rekorde më të ulëta kundrejt dollarit, duke humbur gati 30% në vlerë vetëm në muajin e fundit dhe mbi 43% që nga fillimi i vit. Inflacioni vjetor u rrit mbi 20%, duke shkatërruar fuqinë blerëse të turqve.

Erdogan, i cili ka shkarkuar tre guvernatorët e bankës qendrore që nga korriku 2019, ka refuzuar të pranojë çdo përgjegjësi për rënien e lirës.

“Unë kundërshtoj politikat që dënojnë popullin tonë me papunësi, uri dhe varfëri,” tha presidenti turk, duke paralajmëruar se vendi ishte në “luftë të pavarësisë ekonomike”.

Mbi gjysma e të gjitha depozitave në bankat turke janë në valuta të huaja, kryesisht në dollarë. Objektivi zyrtar i inflacionit të Turqisë është 5%, por me kokëfortësi ka mbetur dyshifror në dy vitet e fundit, afër 20% muajin e kaluar, shkruan Euronews.

Partitë opozitare thonë se inflacioni real është shumë më i lartë se sa tregojnë të dhënat zyrtare. Nisur nga situata, opozita ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme përpara një votimi të planifikuar në qershor 2023, por Erdogan u zotua se “nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme”.

Disa ekspertë kanë akuzuar Erdogan se kërkon ta bëjë Turqinë më tërheqëse si një qendër për prodhimin e lirë me paga turke që vlejnë më pak në terma dollarë. Paga minimale mujore neto e Turqisë prej 2 mijë e 825 e 90 lirash arriti në 380 dollarë (337 euro) në janar 2021, por që nga e mërkura e javës së kaluar ishte ekuivalente me 222 dollarë (197 euro).

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika