Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Limaj, i cili garoi në koalicion me partinë e Ramush Haradinajt – Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka deklaruar në emisionin “Debat Plus” se është i hapur për koalicione pas zgjedhjeve.
Ai u sfidua nga gazetari Ermal Panduri nëse ka “vija të kuqe” për LVV-në.
Limaj tha se për të me rëndësi nuk janë pozicionet, por temat nacionale.
“Kush të më fton në tavolinë, unë shkoj, ulna, për Kosovën. Pikë. Unë shkoj ulna për tema nacionale, s’është me rëndësi pozicionet… Çka po të vyen një qeveri jofunksionale, s’më ke mua në një qeveri jofunksionale kurrë, nuk hi. Një qeveri që është kundër interesave të Kosovës, nuk futem” – ka deklaruar Limaj më 20.02.2025.
Fatmir Limaj i ka falënderuar votuesit e tij për siç e ka quajtur ai “rikthimin e tij në Kuvendin e Kosovës”.
Për koalicionin me AAK-në, Limaj tha se janë dy parti politike të ndara që kanë pasur koalicion.
“Natyrisht që ne jemi parti të veçanta, Nisma i ka këta tre deputetë, Aleanca tani për tani i ka pesë, e si do të jetë s’e di kur do të certifikohet rezultati, po unë jam shumë i interesuar që jo vetëm me zotin Haradinaj, por partneritetin në shërbim të vendit dhe realizimit të atyre objektivave që kemi pasë ne si koalicion, ato janë në interes të Kosovës, do t’i realizojmë me të tjerët, kështu që unë jam i njohur për partneritete tilla” – ka thënë Limaj.
Sipas Limajt, votuesi i të gjitha partive politike ka thënë “duhet me u ulë, me u bë bashkë’, duke nënkuptuar për komunikimin pozitë e opozitë.
“Ne të pestët duhet me u ulë, s’është me rëndësi kush është pozitë, opozitë, duhet me u ulë për tema nacionale, ato që na presin. Ne duhet me u kthy në Uashington… Edhe në Bruksel, edhe në Uashington, edhe në Londër, në Bon, në Berlin e kudo, edhe në Tiranë bashkë, situata është kritike” – tha Limaj.
“Unë rri në opozitë o vëlla, s’e kam atë problem, unë i shërbej temave nacionale, unë jam argat… Unë jam i gatshëm m’i ndihmu kryeministrit tim që i shërben vendit” – ka shtuar Limaj.
Limaj është njëri prej tre kandidatëve nga Nisma Socialdemokrate që, sipas rezultateve preliminare, ka fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës pasi subjekti i tij politik garoi në koalicion me AAK-në e Ramush Haradinajt, Intelektualët dhe Listën Ideal.