Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj iu është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një takim të përbashkët me krerët e partive.
Limaj theksoi se në tryezën e thirrur nga Kurti do të ketë qëndrimin e njëjtë, duke kërkuar një marrëveshje politike dhe se e kishte bërë të qartë që nga fillimi se për interesa nacionale është i gatshëm të ulet në çdo tavolinë.
“E kam thënë këtë sepse, menjëherë pas shpalljes së rezultateve zgjedhore, kam parë qartë se pa një marrëveshje politike ndërmjet partive nuk do të ketë zgjidhje funksionale për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve tjera…Prandaj, nesër do të jem në tryezën e thirrur nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, me po të njëjtin qëndrim që kam pasur që nga dita e parë: Kosova ka nevojë për marrëveshje, jo për teatër politik. Për lidership, jo për kalkulime”, ka shkruar ai në Facebook.
Limaj ka thënë se kanë një propozim të balancuar që garanton stabilitet politik, funksionalitet institucional dhe kthjellje në proceset vendimmarrëse.
“Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë: Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është proces që kërkon marrëveshje politike, jo bllokim, jo taktika dhe jo shfaqje publike…Sot gjithçka është bërë e qartë. Qëndrimi ynë ka qenë i drejtë, dinjitoz dhe në shërbim të vendit. Një propozim i balancuar që garantonte stabilitet politik, funksionalitet institucional dhe kthjellje në proceset vendimmarrëse”, ka theksuar Limaj.