Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka refuzuar të hënën (20.10.2025) ofertën e ripërtërirë për bisedime të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe ka hedhur poshtë pretendimet e tij se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkatërruar kapacitetet bërthamore të Iranit, ka raportuar Reuters.
Teherani dhe Uashingtoni ishin përfshirë në runde indirekte negociatash që përfunduan me luftën 12 ditore në qershor në të cilën Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara bombarduan zonat bërthamore iraniane.
“Trump thotë se është mjeshtër ujdish, por nëse një ujdi shoqërohet me shantazh dhe rezultati i saj është paracaktuar, atëherë nuk është ujdi, por imponim dhe shantazhim”, ka thënë Khamenei, raportojnë mediat shtetërore iraniane.
Javën e kaluar, presidenti Trump u tha deputetëve izraelitë se do të ishte e mrekullueshme nëse Uashingtoni do të mund të negocionte një “ujdi paqeje” me Teheranin pas nisjes së armëpushimit në Gazë ndërmjet Izraelit dhe grupit militant palestinez, “Hamas”.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara thotë krenueshëm se bombarduan dhe shkatërruan industrinë atomike të Iranit. Atëherë mirë, vazhdoni të ëndërroni!” – ka theksuar Khamenei.
“Çfarë lidhje ka për Amerikën nëse Irani ka, apo nuk ka kapacitete atomike? Këto ndërhyrje janë të pavenda, të gabuara dhe shantazhuese”.
Fuqitë perëndimore akuzojnë Iranin se tinëzisht po mundohet të zhvillojë bombë bërthamore nëpërmjet pasurimit të uraniumit, dhe dëshirojnë që Teherani të heqë dorë prej këtij aktiviteti. Teherani mohon se po mundohet ta pasurojë uraniumin për armatim, duke theksuar se synon ta përdor vetëm për qëllime energjie./Kallxo.com