Udhëheqës nga e gjithë Evropa janë mbledhur sot në Jerevan për edicionin e tetë të Komunitetit Politik Evropian, një forum që bashkon rreth 50 krerë shtetesh dhe qeverish për të diskutuar sfidat kryesore të kontinentit. Në këtë samit, Kosova përfaqësohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndërsa Shqipëria nga kryeministri Edi Rama.
Zyrtarisht, takimi do të fokusohet në çështje si qëndrueshmëria demokratike, kërcënimet hibride dhe siguria ekonomike. Megjithatë, vëmendja pritet të përqendrohet edhe te diskutimet joformale, sidomos në lidhje me zhvillimet gjeopolitike dhe sigurinë energjetike.
Presidenti rumun Nicușor Dan ka theksuar se prioritet i tij do të jetë diskutimi për sigurinë energjetike, ndërsa kryeministri polak Donald Tusk ka nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve euro-amerikane, duke i cilësuar ato si të pazëvendësueshme.





