LAJME

Liderët e BE-së mbështesin presidentin amerikan pas sulmit

Liderët e BE-së mbështesin presidentin amerikan pas sulmit
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Prill 2026, 09:29

Ngjarjet e fundjavës në kryeqytetin amerikan, Uashington, e zunë Brukselin në befasi, ndërsa zyrtarët po shijonin fillimin e pranverës.

Një burrë 31-vjeçar, me emrin Cole Tomas Allen, është arrestuar pasi hapi zjarr të shtunën në mbrëmje jashtë sallës së pritjes së përvitshme solemne të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë (WHCA), në të cilën presidenti Donald Trump po merrte pjesë për herë të parë. Shtëpia e Bardhë thotë se ishte një atentat që cak kishte Trumpin dhe zyrtarëve të tij.

Për fat të mirë, askush nuk u vra.

Në Europë, liderët e BE-së shprehën shpejt mbështetje për presidentin e SHBA-së, i cili kishte munguar në event për vite me radhë përpara se të pranonte këtë herë të merrte pjesë, pavarësisht marrëdhënieve të tendosura midis Shtëpisë së Bardhë dhe korpusit të shtypit gjatë mandatit të tij të dytë, ka raportuar të hënën (27.04.2026) Euronews.

“Sapo fola me presidentin amerikan, Donald Trump, për t’i shprehur solidaritetin tim dhe të Komisionit Europian pas sulmit të tentuar”, ka shkruar presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në X. Ajo shtoi se “dhuna politike nuk ka vend në demokracitë tona”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka quajtur “të papranueshëm” incidentin, ndërsa kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka theksuar: “Ne vendosim me shumicë, jo me armë”.

Tensionet transatlantike u zbehën për një kohë të shkurtër, edhe pse agjencia Reuters ka raportuar se SHBA-ja mund të kërkojë të pezullohet Spanja nga NATO-ja për shkak të refuzimit për të mbështetur luftën e SHBA-së dhe Izraelit në Iran.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, e ka minimizuar kërcënimin dhe iu bashkua udhëheqësve të BE-së në dënimin e sulmit. “Dhuna nuk është kurrë përgjigja”, ka shkruar Sanchez në X. “Njerëzimi do të ecë përpara vetëm përmes demokracisë, bashkëjetesës dhe paqes”.

Presidenti Trump ka hedhur poshtë të dielën çdo lidhje midis ndërhyrjes së armatosur në darkën e WHCA-së dhe luftës në Lindjen e Mesme. Ai ka theksuar se incidenti nuk do ta “pengonte” atë nga “fitimi i luftës”.

Më herët gjatë fundjavës, Trump anuloi një udhëtim në Pakistan të planifikuar për të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner, duke shkruar në mediat sociale: “Shumë kohë e humbur duke udhëtuar, shumë punë!” Ai shtoi, duke iu referuar Iranit: “Ka një grindje dhe konfuzion të jashtëzakonshëm brenda ‘udhëheqjes’ së tyre”.

Nga ana e tij, pasi shkoi në Oman dhe Pakistan gjatë fundjavës, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghtchi, ka zbarkuar në Rusi për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika