LAJME

Liderë evropianë kërkojnë që të mos ketë masa vetëm ndaj Kosovës

Liderë evropianë kërkojnë që të mos ketë masa vetëm ndaj Kosovës
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Qershor 2023, 18:00

Qasje më e balancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë për çështjen e veriut është kërkuar nga Bashkimi Evropian, prej disa liderëve të vendeve anëtare në samitin e liderëve që ka përfunduar të premten në Bruksel.

Të premten udhëheqësit e shteteve e qeverive të BE-së kërkuan shtensionim të menjëhershëm të situatës në Kosovë dhe paralajmëruan pasoja negative nëse kjo s’ndodh.

Megjithatë, pos zërave formalë për kërkesën për shtensionim, siç ka raportuar korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, në këtë samit, disa liderë kanë kërkuar qasje më të balancuar të BE-së.

“Do të thotë se kanë kërkuar se s’mund të paralajmërojnë apo të ndërmarrin masa vetëm ndaj Kosovës e jo edhe ndaj Serbisë. Dhe këtu disa shtete kanë thënë se pak a shumë, ndonëse pajtohen se mund të fajësohet pak më shumë pala kosovare, që atë ditë në ato ndërtesa dërgoi kryetarët në kundërshtim me sugjerimet e të gjithë ndërkombëtarëve, por për shumë pjesë të tjera fajin ka pala serbe, siç u shpreh kryeministri kroat Plenkoviq ‘u pa qartë kush i sulmoi ushtarët e KFOR-it’, prandaj është kërkuar qasje më e balancuar”, ka thënë Palokaj në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Palokaj ka thënë se në BE presin hapa të shpejtë të tensionimit, por kanë vlerësuar se Qeveria e Kosovës ka problem me komunikim. Këtë e ka theksuar me faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar kanë deklaruar se Kosova s’është koordinuar kur i ka shpallur dy organizata në veri si organizata terroriste.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika