LAJME

Licencohen udhërrëfyesit turistikë, Bogujevci: Ata janë ambasadorët e parë të vendit tonë

Licencohen udhërrëfyesit turistikë, Bogujevci: Ata janë ambasadorët e parë të vendit tonë
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Korrik 2026, 12:05

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka licencuar udhërrëfyesit turistikë në vend.

Ceremonia e shpërndarjes së kartelave identifikuese për 12 udhërrëfyesit e parë është mbajtur të premten, më 10.07.2026, në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë.

Për zyrtarët institucionalë dhe ekspertë të fushës, procesi i licencimit të udhërrëfyesve turistikë po shihet si mjaft i rëndësishëm për vendosjen e standardeve të qarta për prezantim të vendit dhe sa më profesional para vizitorëve të huaj.

Njëkohësisht edhe do t’i jap fund edhe funksionimit të udhërrëfyesve të huaj të palicencuar, të cilët në jo pak raste, përmes informacioneve të shtrembëruara kanë dëmtuar imazhin e Kosovës para turistëve të huaj.

Në ceremoninë e shpërndarjes së licencave mori pjesë edhe ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, e cila tha se licencimi i udhërrëfyesve synon vendosjen e standardeve të qarta dhe krijimin e besimit tek vizitorët që zgjedhin Kosovën për ta vizituar.

“Udhërrëfyesit janë ambasadorët e parë të vendit tonë, përmes njohurive, përkushtimit dhe mënyrën se si e prezantojnë Kosovën, ata krijojnë përshtypjen e parë për vendin tonë”- tha ajo, e cila edhe shpërndau kartelat identifikuese për udhërrëfyesit e licencuar.

Hoti: Ditë historike, të ndalohen udhërrëfyesit e palicencuar

Baki Hoti, kryetar i Unionit i Turizmit të Kosovës,  e ka quajtur ditë historike për vendin licencimin e udhërrëfyesve turistikë nga institucionet shtetërore.

Sipas tij, UTK për vite me radhë ka ngritur shqetësimin e licencimit të guidave (udhërrëfyesve) turistike dhe siç ka thënë ai, për t‘i ndaluar udhërrëfyesit e huaj dhe të palicencuar që funksiononin dhe funksionojnë në vend.

“Ka raste, kur këta (udhërrëfyesit e huaj, të palicencuar) edhe e kanë shtrembëruar para turistëve të huaj historinë e vendit, traditat dhe kulturat, dhe kjo duhej të ndalej dhe i vetmi opsion ishte që të kemi udhërrëfyes të licencuar nga shteti”- tha Hoti për KALLXO.com.

Edhe Ilir Sopjani, udhërrëfyes i licencuar, tha se institucionet duhet të ndalojnë funksionimin e guidave apo udhërrëfyesve të huaj dhe të palicencuar.

“Duhet të ndalohen udhërrëfyesit nga vendet e të huaja të cilët në mënyrë të gabueshme ose të qëllimshme kanë bërë rrëfime dezinformuese duke dëmtuar imazhin e vendit”- tha ai për KALLXO.com.

Sipas tij, puna kryesore e një udhërrëfyesi është paraqitja e vendit në mënyrë zyrtare, të dinjitetshme në aspekte të përgjithshme.

Ndërkaq Bislim Bislimi, Sekretar i Përgjithshëm në MKT tha për KALLXO.com se me ndryshimin e Ligjit për turizmin, dhe themelimin e institucioneve tjera si Agjencia për Turizmin, e cila pritet të themelohet, do të krijohen kushte për funksionimin më të mirë të fushës së turizmit, në veçanti funksionimit të udhërrëfyesve turistikë.

“Ndërkohë do të themelohet edhe agjencia për turizëm, ashtu si e kanë shumë shtete, do të krijohet inspektorati për inspektim të fushës së turizmit, i cilit do të ushtrojë kontroll të drejtpërdrejtë në fushën e turizmit, si institucionit kompetent.”- ai për KALLXO.com.

Kush mund të bëhet udhërrëfyes turistik?

Çdo persona që e do vendin e tij, e njeh historinë, kulturën dhe etnologjinë mund të bëhet udhërrëfyese turistik dhe pasi të këtë mbaruar një trajnim në një institucion të certifikuar në këtë fushë.

Një prej tyre është Shoqata e Guidave Turistike të Kosovës, “Guideks”.

Muhamer Hasani, drejor i “Guideks”-it, thotë se shoqata e ka programin për trajnimin e guidave (udhërrëfyesve) turistikë prej 200 orëve trajnim, ku 40 prej tyre, minimum trajnim praktik.

“Kriteri i vetëm është shkolla e mesme. Është pjesa teorike ku kandidatët marrin trajnime për historinë, arkeologjinë, gastronominë, nga trashëgimia natyrore, dhe në të njëjtën kohë është edhe pjesa praktike e cila bëhet në ecje (në qytete), më objekt muzeore dhe mjete transportuese (autobus)”- ka thënë ai.

Sipas tij, pas certifikimet kandidatët licencohen më pas nga ministria.

Këta janë udhërrëfyesit turistikë të licencuar nga MKT: Naile Cekaj, Fisnik Thaçi, Orhan Ramadani, Fitim Bunjaku, Fatijona Bajra, Adriana Pllana, Akil Cejku, Muhamed Cejku, Muhamer Hasani, Ilir Sopjani, Enes Toska dhe Mirjeta Shatri./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika