Një skijator është aksidentuar me një motor-sajë brenda shtigjeve të skijimit sot rreth orës 15:30 në Brezovicë.
Ai është lënduar në disa pjesë të trupit dhe është dërguar në Spitalin e Ferizajt nga anëtarët e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor, të cilët u ndihmuan edhe nga qytetarët lokalë.
“Anëtarët tanë nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës fatmirësisht kanë qëlluar afër vendaksidentit dhe kanë reaguar menjëherë duke i ofruar ndihmën e parë viktimës. Në mungesë dhe vonesë të ekipeve mjekësore emergjente në qendrën skitare, dhe bllokim të rrugës nga kaosi i parkimit të automjeteve nuk ka mundur të mbërrijë autoambulanca.” Thuhet në një postim në Facebook të ShKShM-së.
Tutje, bëhet e ditur se pas ekzaminimeve mjekësore gjendja e të aksidentuarit është stabile dhe ai vazhdon të jetë nën mbikëqyrje mjekësore.
“Sipas rregullores së qendrës skitare të Brezovicës, dhe rregullave ndërkombëtare për shtigjet e skijimit, është rreptësishtë e ndaluar lëvizja e motor-sajave apo çfarë do lloji tjetër i mjeteve të motorizuara në shtigje të skijimit, përveç mjeteve të shërbimeve emergjente dhe autoriteteve të tjera zyrtare, të cilët doemos gjatë lëvizjes duhet të posedojnë shenja lajmëruese rotative dhe lajmërim akustik.”
ShKShM apelon që të ndalohen mjetet motorike në shtigje të skijimit dhe hapësira turistike ku ka lëvizje të vizitorëve,
“Lëvizja e motor-sajave në qendrën skitare të Brezovicës kohëve të fundit është në trend, dhe momentalisht janë më qindra motor-saja që paraqesin rrezik për skitarët dhe vizitorët, jo rrallëherë ndodhin edhe aksidente të ndryshme.”