Laura Fazliu nuk e ka mbyllur mirë paraqitjen në Grand Slamin e xhudos në Tbilisi të Gjeorgjisë. Xhudistja 23-vjeçare luftoi për medalje të bronztë në kategorinë deri 63 kilogramë, ndërsa përballë e kishte holandezen Joanne Van Lieshout.
Laura nisi furishëm duke kërkuar hedhjen pas pak sekondave. Shumë shpejt realizoi hedhje për uazari. Më pas e ka kontrolluar luftën deri në fund, duke kërkuar hedhje edhe në disa raste të tjera. Por rreth 20 sekonda para fundit, Laura ka pësuar lëndim, që shpresohet të mos jetë serioz. Ka vendosur të vazhdojë garën, por për shkak të lëndimit në pjesën e prapme të kofshës, nuk e kishte më forcën e njëjtë. Holandezja ka shfrytëzuar këtë dhe përmes mbajtjes ka siguruar fitore me Ippon, pak para se të mbyllej lufta. Është parë qartë se Laura e ka mbyllur luftën mes dhembjeve të mëdha në kofshë. Dhe kjo i kushtoi që të mbetet pa medalje.
Laura është prej shpresave më të mëdha të Kosovës për medalje në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Dhe lëndimi serioz eventual i saj, do të ishte goditje shumë e madhe për Kosovën.