Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, e cila është në pushtet, po merret me propagandë dhe nuk po merret me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, Halimi ka thënë se Vetëvendosja të vetmin mjet të artikulimit politik e ka propagandën.
“Dje ishim dëshmitarë se si pushteti që i ka krejt iu kthye zanatit të vet si të vetmit mjet të artikulimit politik. Propaganda e partisë në pushtet vazhdimisht i kthehet të kaluarës për t’i ikë përgjegjësive dhe ta mbulojë paaftësinë qeverisëse”, është shprehur Halimi.
Ajo i ka cilësuar si skandal raportimet lidhur me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Skandali tjetër që lidhet me Serbinë janë edhe 600 mijë euro transfere nga ‘GEN-i’ i Serbisë, para që nuk dihet se ku kanë shkuar dhe kë e kanë financuar, skandal ky ku përfshihen ambasador të pushtetit”, ka deklaruar Halimi.
Ajo e ka akuzuar Qeverinë për pagesë të rrymës në veri e amnistim të barrikaduesve e të akuzuarve për terrorizëm.
Ajo ka thënë se regres e stagnim edhe në politikën e jashtme. Halimi ka akuzuar Qeverinë edhe për punësime familjare.
Sipas saj mungesën e rezultateve të partisë në pushtet më së miri e përjetojnë qytetarët në përditshmërinë e tyre. “Ne ekonomi dështim, në shëndetësi dështim, në arsim dëshmim”, ka theksuar Halimi.
Ajo ka thënë se në kohën e Qeverisë Kurti ka pasur inflacion prej 20 për qind, që Halimi ka thënë se është ndër më të lartit në Evropë.
“Kur flasim për ekonominë, faktet shifrat flasin ndryshe pasi për gjatë dy vjetëve kemi pasur vetëm ngecje. Ekonomia është ngulfatur, vetëm 9 për qind të buxhetit për investime kapitale janë shfrytëzuar që i bie se janë 700 milionë euro më pak në qarkullim vlera e të cilave po humbet çdo ditë … Gjatë qeverisjes së tyre më së shumti ka pasur rritje të importit nga Serbia prej 370 milionë euro”, është shprehur Halimi.
Sipas saj gjatë Qeverisë Kurti Kosova ka përjetuar rritjen më të ulët ekonomike në një dekadë.