Pas raportimit të Gazetës Online Reporteri.net se në konkursin e shpallur në KEK janë punësuar familjarë të anëtarëve të Vetëvendosjes, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të dorëzojë kallëzim penal si shkak i punësimeve të dyshimta në KEK.
Kështu ka bërë të ditur vetë LDK me anë të një komunikate për media, duke paralajmëruar konferencë për media nga ora 14:00.
“Sot (e mërkurë), më datë 6 prill 2022, në orën 14:00, Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzon kallëxim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në lidhje me punësimet e fundit në KEK. Pas dorëzimit të kallëzimit mbahet konferencë për medie, para Pallatit të Drejtësisë”, bëhet e ditur në komunikatë.
Gjatë ditës së djeshme, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar duke i quajtur punësimet në këtë korporatë si model i pushtetit në vend.
“Plot 4668 qytetarë tanë kanë aplikuar për 128 vende pune në Korporatën Energjetike të Kosovës – pra në KEK. Ky aplikim i tyre nuk kishte fare rëndësi, sepse vendet e punës ishin të parandara për 40 familjarë e 80 militantë partiak të partisë në pushtet. Ky është modeli i pushtetit në vend. Kapje e nepotizëm masiv i çdo vendi e çdo ndërmarrje pa dallim; dhe atë hapur e pa brengë. Ata që e arsyetojnë kapjen, që normalizojnë zëvendësimin e një kapësi me tjetrin, le t’iu flasin sot të katër mijë aplikantëve që janë refuzuar sepse s’kishin parti. Le t’i bindin tani – ata e familjet e tyre – se dëshpërimi e ikja nga ky vend nuk është alternative”, ka shkruar Abdixhiku.