LAJME

LDK: S’mund të diskutohet rritja e çmimit të rrymës kur sistemi i faturimit është vënë në pikëpyetje

LDK: S’mund të diskutohet rritja e çmimit të rrymës kur sistemi i faturimit është vënë në pikëpyetje
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Prill 2026, 10:25

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar hetim të pavarur dhe kompensim për qytetarët pas verifikimeve të tyre që tregojnë se mbi 87% e njehsorëve elektrikë në Kosovë masin kohën gabimisht, duke shkaktuar faturim të shtrembëruar të energjisë elektrike. Kanë thënë se nuk mund të diskutohet çështja e rritjes së çmimit të rrymës kur kanë dalë këto probleme me sistemin e faturimit.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës të enjten në Kuvend ka thënë se se ky problem prek secilin qytetar dhe familje:

“Është pa drejtësi që po bëhet për muaj apo vite me radhë… Qytetarët janë mashtruar. Kjo është e vërteta e hidhur. Teksa kemi dëgjuar Qeverinë duke u bërë thirrje qytetarëve ta kursejnë rrymën, të presin të shpenzojnë prej orës 22:00 me të lirën, ne sot kemi parë që shumica e njehsorëve nuk e kanë llogarisin saktë shpenzimin e energjisë dhe kjo çon në faturim më të shtrenjtë për secilën familje të Kosovës.”, ka thënë ajo.

Lushaku-Sadriu theksoi se Ministria e Industrisë, KEDS-i, ZRRE-ja dhe KESCO mbajnë përgjegjësi për mosveprim dhe për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve.

“Si është e mundur që një problem të jetë kaq i hapur dhe Ministria e Industrisë të mos ketë vepruar me kohë. Si është e mundur që qytetarët të kenë paguar fatura të padrejta me keqllogaritje dhe Ministria e institucionet e tjera nuk janë thirrur për përgjegjësi. Përgjegjësia është e qartë dhe nuk mund të shmanget. Ministria e Industrisë, KEDS-i, ZRRE-ja, KESCO mbajnë përgjegjësi për mosveprim dhe për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve”, ka shtuar ajo.

Lushaku-Sadriu ka kërkuar hetim të pavarur dhe auditim të plotë të sistemit të faturimit, kompensim për çdo cent të marrë padrejtësisht dhe hetim nga Prokuroria për përgjegjësi penale.

Sipas LDK-së, është e papranueshme të diskutohet për rritje çmimesh të energjisë, kur vetë sistemi i faturimit është i paqartë dhe problematik./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika