Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosmarrjen e masave për të parandaluar reduktimin e energjisë elektrike.
Ai e ka akuzuar qeverinë për paaftësi në menaxhimin e furnizimit me energji dhe ka theksuar se kjo është një çështje që përsëritet çdo vit, duke u përkeqësuar sidomos gjatë periudhave me mot të ftohtë.
Azemi ka deklaruar se problemi i mungesës së energjisë mund të zgjidhet përfundimisht me ndërtimin e një centrale moderne me gaz, projekt i cili është pjesë e programit të LDK-së.
Sipas tij, ky projekt do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe më të lirë me energji elektrike për qytetarët e Kosovës, duke eliminuar reduktimet e shpeshta që kanë rënduar jetesën e tyre.
“Janë bërë disa dite e kjo gjendje po na përsëritet çdo vit me reduktimin e rrymës. Gjendje bëhet edhe me e vështirë me motin e ftohtë. Këto reduktime janë pasoj e pa aftësi dhe dështimin e kësaj qeverie që të ofrojnë furnizimit të rregullt me rrymë. Qytetarët e Kosovës janë lodhur nga jetesa në errësirë, përderisa qeveria mbyll sytë para kësaj. Në gjendje të vështirë janë edhe bizneset. Ky problem është lehët i zgjidhur me programin e LDK-së që ofron zgjidhje të përhershme. Mungesa e energjisë elektrike eliminohet vetëm me ndërtimin e centralit modern me gaz projekt që është me programin e LDK që do të zbatohet sa po të vijmë në pushtet”, ka thënë Azemi.
Ai ka akuzuar Martin Berishajn dhe Nagip Krasniqin, duke i lidhur ata me “mafinë energjetike”, dhe ka shtuar se, për katër vite në pushtet, Qeveria aktuale nuk ka arritur të krijojë një plan të qartë dhe vizion për menaxhimin e energjisë elektrike në vend.