Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një takim virtual me përfaqësuesit e 88 nëndegëve të LDK-së në mërgatë.
Ai ka bërë të ditur se ata i ka njoftuar me rrjedhën e proceseve negociuese për çështjen e presidentit, të cilat, sipas tij, “fatkeqësisht dështuan”.
“Por ky dështim nuk është fund; është moment kthese. Dhe atë kthesë e madhe per Lidhjen”- ka shkruar ai në Facebook.
Abdixhiku tha se folën hapur për momentin politik dhe për domosdoshmërinë e bashkimit të së djathtës brenda LDK-së; “si rruga e vetme për ta kthyer drejtimin e vendit dhe për të ndërtuar një alternativë të denjë për qytetarët”.
“U dakorduam për mobilizim të plotë dhe nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për tubime e takime në mërgatë. Mërgata jonë nuk është vetëm mbështetje; është pjesë vendimtare e kthesës që po ndërtojmë”- ka shtuar Abdixhiku.