Dega e Lidhjes Demokratike e Kosovës në Prizren, përmes një komunikate për media, ka kritikuar qeverisjen lokale në Prizren të udhëhequr nga kryetari Shaqir Totaj, për punime jo cilësore në infrastrukturën rrugore.
Në regimin e saj LDK ka publikuar disa fotografi dhe ka thënë se janë pamje të mjerueshme të rrugës “Turgut Ozal” në lagjen “Bajram Curri”, rrugë e cila është shtruar hiq më larg se para 5 muajsh.
Komunikata e plotë:
Logjika qeverisëse e Shaqes&Co, cilësinë e punimeve e zëvendëson me cilësinë dhe sasinë e parave që përfundojnë në xhepat e abuzuesve!
Janë pamje të mjerueshme të rrugës “Turgut Ozal” në lagjen “Bajram Curri” e cila është shtruar hiq më larg se para 5 muajsh, pra me 14.05.2023, ndërsa sot gjendja e saj është si kjo në fotografitë e bashkangjitura.
Këto pamje tregojnë se projektet infrastrukturore të qevesjes lokale në Prizren, nuk janë projekte cilësore dhe në shërbim të qytetarëve por janë projekte në shërbim të grupeve të caktuara rreth oborrit të kryetarit Totaj.
Ne dhe qytetarët e Prizrenit, nuk do të lejojmë që të kalojnë në heshtje këto punë të turpshme e që fatkeqësisht paguhen nga taksat e qytetarëve.
LDK në Prizren, i bën thirrje organeve të ndjekëse që të nisin hetimet me dyshime për keqpërdorim të parasë publike.
Mashtrimi dhe turpi nuk kalon!
Abuzuesit dhe keqpërdoruesit e parasë publike, nuk e kanë vendin në funksione publike.
LDK – Prizren
Zyra për Informim