Dega e Lidhjes Demokratike e Kosovës në Prizren përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar në lidhje me pjesmarrjen e drejtorëve të shkollave nëpër fushatat politike të Partisë Demokratike të Kosovës.
Nga dega e LDK-së në Prizren i bëhet thirrje KQZ-së që të mos i lejojë drejtorët e shkollave që të jenë menaxher në Qendrat e votimit, pasi që, sipas tyre pjesmarrja e tyre në tubimet politike mund të ndikojë drejtëpërdrejt në zgjedhje.
Reagimi i plotë:
Drejtorët e shkollave në fushatë politike të PDK-së
E kemi thënë nëpër konferenca për shtyp se Shaqir Totaj po i rekruton, njerëzit e tij (të PDK-së), drejtorë të shkollave në Komunën e Prizrenit dhe një gjë e tillë po shpërfaqet në këto ditë të parafushatës zgjedhore.
Adelina Beqiri, Ibish Shatri, Lumnije Rakaj, Vlora Karavidaj shihen drejtëpërdrejt në aktivitete politike të aktivistëve të PDK-së, jashtë çdo logjike politike, sepse ata jo që kanë kaluar vite që kanë qenë në kryesi, por po e dëshmojnë se janë aktiv në politikë.
Sa më shumë që do të intensifikohet fushata, më shumë do të shohim drejtor të shkollave të angazhuar në fushatë, të cilët pa asnjë pikë turpi shfaqen në aktivitete partiake, për të dëshmuar servilitetin ndaj pushtetit të PDK-së.
Apo ka qenë retorikë e thatë e pushtetarëve se drejtorët nuk janë politikë sepse po dëshmohet se janë krejtësisht politikë.
I bëjmë thirrje KQZ-së, që të mos i lejojë këta drejtorë që të jenë menaxher në Qendrat e votimit. Drejtorët e shkollave që marrin pjesë nëpër tubimet e partive politike, dyshojmë që mund të ndikojnë drejtëpërdrejt në zgjedhje.