Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta ketë postin e presidentit. Kështu ka deklaruar nënkryetari i këtij subjekti, Lutfi Haziri që thotë se deri më tani nuk kanë biseduar me askënd për këtë çështje.Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se ka ardhur koha që LDK-ja ta ketë postin e presidentit.Ai ka thënë se jostabiliteti politik tashmë është në zyrën e presidentit dhe se për këtë çështje duhet gjetur zgjidhje sa më parë.
“Kuvendin e udhëheqë Vjosa Osmani, sepse ka qenë pjesë e marrëveshjes VV-LDK, ai vend është fituar përkundër që raportet e brendshme me Vjosën i kemi ndryshuar pas zgjedhjeve. Nëse pyetëm unë, ka ardhur koha që presidentin me e marrë LDK-ja, por edhe më tutje ne nuk po duam të bëhemi egoistë në kërkesat tona politike dhe po mendojmë që me dialog të brendshëm mundemi me gjet një emër të përbashkët për këtë pozitë”, ka thënë ai në KTV.
Haziri ka shtuar se nëse gjatë dhjetorit nuk ka emër për president, atëherë duhet parë fuqia politike për të caktuar datën e zgjedhjeve.“Nëse nuk kemi emër për president gjatë dhjetorit, atëherë të kemi fuqi politike për ta caktuar datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet në kohë pandemie nuk është e lehtë të mbahen porse te ne duhet të shihet mundësia”, ka thënë ai.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se LDK-ja ka përvojë të qeverisjes së mirë, derisa ka theksuar se nuk kanë probleme të brendshme.“LDK-ja telashe të brendshme nuk ka por jemi në ballë të qeverisjes. Qeverisja është ajo që duhet me e përkthyer programin edhe angazhimet politike në veprim.
Opozita e ka komoditetin të kritikojë”, ka thënë Haziri, duke shtuar se partitë në koalicion duhet të respektojnë marrëveshjen deri në fund.“Ne kemi përvoja të qeverisjes të mirë dhe qeverisjes me probleme, telashe. Ajo që unë besoj thellë është se edhe Aleanca edhe Nisma, edhe Lista Serbe edhe partitë e grupeve të tjera të përfaqësuara në Qeveri për momentin kanë ndërtuar një formulë qeverisje duhet ta respektojnë deri në fund bashkë në mënyrë që me e përballuar këtë gjendjen pandemike sepse ka rënie ekonomike”, ka thënë ai.
“Nuk e lidhi asnjëherë këto vendime të rëndësishme siç është Rimëkëmbja Ekonomike që njerëzit po e presin me padurim, ne kemi hyrë në dimër, nëse vazhdojmë t’i vonojmë edhe një javë, dy javë mundësinë që me ndërhy qeveria me pako atëherë po e humb arsyen me u miratuar kjo pako”, shton Haziri duke kërkuar reflektim edhe nga opozita.Haziri thotë se nuk kanë biseduar deri më tani me askënd për presidentin, e LDK-ja nuk është e interesuar të shkaktojë vonesa dhe shkarje që çojnë në jostabilitet.
Ai ka theksuar se nuk ka emra konkretë për presidentin.“LDK-ja nuk ka diskutuar as për emrat e vet as për emra të tjerë. Ne jemi sjellë në këtë proces me më shumë kod moral sepse sa ka qenë z. Thaçi në zyre kemi dashur ta respektojmë autoritetin e presidentit. Ende nuk kemi biseduar për emër, por po shihet se disponimi i partive politike është për emra brenda partiakë, për momentin. Nëse partitë tërhiqen nga kandidaturat partiake LDK-ja e mirëpret, neve nuk na pengon”, ka thënë Haziri.Sipas tij nëse nuk zgjidhet çështja e presidentit atëherë shkohet në zgjedhje.“Por a prodhojnë zgjedhjet stabilitet në të ardhmen. A prodhohet prapë mundësia që pas zgjedhjeve Kuvendi përveç ekzekutivit me e zgjedhë edhe presidentin. Sepse ju e dini që nëse për 40 ditë nuk mbërrin me e zgjedhë presidentin prapë shpërndahet parlamenti”, është shprehur Haziri.