Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, tha se kjo parti është e gatshme që të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, qytetarët po e shohin LDK-në si alternativë, në mënyrë që vendit t’i jepet kaheje drejt rrugës euro-atlantike.
Ai tha se në bazë të matjeve të opinionit që kanë bërë, mbështetja qytetare është rritur nga viti në vit për këtë parti, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në nivel vendi.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se LDK-ja ka shifra inkurajuese për shkak të ndryshimeve dhe reformave që ka bërë.
“Nuk është çështje e gatishmërisë sonë, është çështje që Kosova ka nevojë për një rrugë të re, për këtë ne e kemi diskutuar kur jemi pyetur që ka një tendencë që pushteti të na thotë që nuk e kemi të sinqertë kërkesën për zgjedhje apo po frikohemi se ata janë në shifra shumë të larta. Ne normalisht kemi nxjerr disa nga të dhënat që ne i marrim rregullisht dhe një ndër to është edhe kryeqyteti i Prishtinës, që për hir të së vërtetës është një indikator i rëndësishëm për shkak se kryeqyteti është një përcaktues pastaj edhe i trendëve politike, ekonomike, shoqërore në vend. Është inkurajuese që kemi një rritje goxha të madhe nga viti në vit dhe besoj që kjo do të jetë e shprehur edhe në nivel vendi”, tha ai.
Ai ka thënë se Kosova ka ngecur në vitet e fundit.
“Unë mendoj që këtu ka kapacitet, ka ide, ka program dhe ka besoj vullnet politik për me i dërguar krejt këto procese që kanë ngecur, ato që janë bllokuar të zhbllokohen dhe pjesën tjetër pastaj me i shty tutje”, tha ai për EO.