Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një rezolute në Kuvend ka kërkuar uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, si dhe subvencionim të naftës për sektorët më të ndjeshëm, duke paralajmëruar se rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës po rrezikon të thellojë krizën ekonomike dhe sociale në vend.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, gjatë prezantimit të rezolutës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendi të premten theksoi se rritja e çmimit të naftës nuk është vetëm çështje tregu, por ka ndikim të drejtpërdrejtë në çdo familje dhe biznes, pasi sipas saj, nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit.





