Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, sot gjatë konferencës për medie ka kërkuar nga Qeveria që në mënyrë urgjente të fokusohet për investime të reja prodhuese energjetike, me theks të veçantë për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, duke u përqendruar tek burimet e gazit natyrorë, pra termocentralit me gaz, energjisë solare dhe asaj nga era.
“Një strategji afatmesme mbi potencialet gjeneruese, si dhe plotësimi i nevojës për sigurim afatgjatë të energjisë elektrike për qytetarët është domosdoshmëri”, ka thënë më tej Bajrami.
Vlen të theksohet se, edhe pse jemi në stinën e verës, ku konsumi i energjisë bie, Kosova po përballet me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, duke e vështirësuar jetën e qytetarëve si dhe bizneseve në Kosovë.
Ndërkaq, sipas LDK-së, një gjë e tillë ka ndodhur si pasoj e vonesave në mirëmbajtje të Bllokut A5, me ç’rast vendi pëson humbje deri në 56 milion euro në muaj.
Kujtojmë se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë gjithë kohës ka qenë tejet aktiv në lidhje me krizën energjetike, ku përveçse ka paralajmëruar edhe ka dhënë propozime konkrete për menaxhimin e kësaj situate, duke propozuar kështu eliminimin e TVSh-së në faturat energjisë elektrike, eliminimin e tarifave diskriminuese si dhe masa të tjera lehtësuese për qytetarët e vendit.