Kuvendi i Kosovës me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje ka thirrur sot dy seanca të jashtëzakonshme, në ora 14:00 dhe një në ora 16:00.
Dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kundërshtuar mbajtjen e këtyre seancave.
Ndërsa deputetët e PDK-së nuk janë kthyer në sallë.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka kundërshtuar mbajtjen në mënyrë të jashtëzakonshme të këtyre seancave, pasi sipas tij projektligjet që pritet të trajtohen janë të zakonshme.
“Unë nuk po shoh dicka të jashtëzakonshme për m`u mbledh dy herë sot me i trajtu dy leximet po sot. Po i humb esenca parlamentarizmit”- ka thënë Gashi.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se është e papranueshme thirrja e këtyre seancave në mënyrë të jashtëzakonshme, pasi sipas tij më me urgjencë është diskutimi për rrezikshmërinë e policëve në veri.
“Do të doja të vazhdojë në atë që foli kolegu Gashi. Ky kuvend sot i ka thirr seancat e jashtëzakonshme për tri ligjet e zakonshme. Është e pa precedentë të thirret seancë për një ligj që është në Kushtetuese. Është e pa pranueshme. 100 mijë herë ma urgjencë kishte me qenë me diskutu rrezikshmërinë e policëve në veri”- ka deklaruar Tahiri.
Seanca e parë ka qenë e paracaktuar dhe në rend të ditës të saj është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti, dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë.
Ndërsa një tjetër seancë e jashtëzakonshme u thirr sot për të trajtuar në shqyrtim te dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.