Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar sakrificën e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, duke theksuar se madhështia e tij nuk qëndronte vetëm te roli ushtarak, por edhe te përkushtimi ndaj familjes dhe popullit.
“Para se të ishte komandant, ai ishte bir, ishte vëlla, ishte bashkëshort, dhe ishte prind. Ishte njeri i një shtëpie ku jeta vazhdonte si në çdo familje tjetër: me fëmijë, me zëra dhe me shpresë për të ardhmen” – shkroi Abdixhiku në një postim në Facebook.
Ai theksoi se sakrifica e Jasharit nuk ishte veprim i një njeriu pa diçka për të humbur, por i një njeriu që kishte gjithçka: familjen, fëmijët dhe jetën.
“Dhe vendosi ti japë të gjitha për ne! Edhe atë, duke kënduar!” – u shpreh Abdixhiku.
Sipas tij, kënga dhe muzika kanë qenë gjithmonë pjesë e shpirtit shqiptar në momentet më të rënda dhe më të mëdha, duke ruajtur kujtesën, dhimbjen, krenarinë dhe shpresën për të nesërmen.
“Kur një shqiptar këndon në momentin e fundit, ai nuk i këndon fundit të tij. Ai i këndon jetës që vazhdon, brezave që do të vijnë dhe lirisë që ende nuk është arritur, por që tashmë është destinim historik” – shkroi Abdixhiku, duke shtuar se Adem Jashari, në ato çaste, po i këndonte këtij destinimi historik dhe fillimit të ri për popullin e tij dhe Kosovën e lirë.
Kryetari i LDK-së përfundoi duke theksuar se sakrifica e Jasharit shërbeu si motiv për djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndërtuan themelin e shtetit të ri: “Komandanti i rënë i tyre kishte lënë ndjekës që do t’i ndërtonin historitë më të bukura të vendit tonë”.