Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Rifat Latifi u prit në Ankara nga homologu i tij nga Turqia, ministri Fahrettin Koca, ku temë diskutimi ishte vazhdimi i bashkëpunimit mes dy shteteve në sektorin e shëndetësisë.
Në këtë takim, Latifi shprehu konsideratën e lartë për homologun e tij dhe shtetin e Turqisë, për të gjitha projektet, ndihmën dhe angazhimin e vazhdueshëm për të përkrahur shëndetësinë e Kosovës.
Ministri Latifi, gjatë diskutimeve me ministrin Koca, e informoi atë për shtatë shtyllat e transformimit të shëndetësisë së Kosovës, duke shprehur optimizmin për ndryshim rrënjësor të sistemit me prioritet gjithmonë pacientin.
Në njoftim thuhet se theks të veçantë në këtë takim iu dha çështjes së shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy shteteve në digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore, në fuqizimin dhe avancimin e kapaciteteve njerëzore të specializuara si dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe modernizimin e spitaleve të Kosovës.





