Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është ankuar se komuna e tij është diskriminuar nga Qeveria në shpërndarjen e buxhetit për vitin 2023.
Në takimin që Asociacioni i Komunave ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurtin, është kërkuar që Qeveria të bëjë ndarje buxhetore të bazuar në kontributin e komunave. Kurtit i është kërkuar që t’i vizitojë komunat, duke theksuar se nevojitet bashkërendim mes nivelit qendror dhe atij lokal.
Latifi në emisionin “60 Minuta” në KTV ka thënë se Kurtit ia ka shprehur shqetësimet me të cilat përballet komuna e tij.
“Në bazë të pasqyrës buxhetore të buxhetit të Kosovës, Komuna e Rahovecit nuk e ka asnjë projekt të ri. Ka buxhetim të pamjaftueshëm të projekteve që financohen nga qeveria”.
“Shqetësim tjetër është se janë larguar projektet që kanë qenë në kodet në buxhetin e Kosovës. Shembull kolektori i ujërave të zeza dhe rregullimi i shtratit të përroit Hoçë e Madhe-Brestovc-Hoçë e Vogël-Nagavci deri në Krushë, është diku 10 kilometra. Është projekt që është financuar nga Ministria e Mjedisit dhe është larguar fare si kod. Ka filluar, është mbështetur vitet e kaluara dhe tash këtë vit është hequr fare. Ai projekt është jetik për këto fshatra. Nuk ka shpjegim pse e kanë hequr”, ka thënë ai.
Latifi ka thënë se arsyetimi i Qeverisë është se nuk ka mjaftueshëm buxhet. Ai është ankuar edhe për heqjen e projekteve që kanë qenë në proces të zhvillimit, duke shtuar se as ndërtimi i sheshit në Rahovec nuk është përfshirë në buxhet.
“Arsyetimi i tyre është që nuk ka pasur mjaftueshëm buxhet, shumë projekte janë hequr, disa janë buxhetuar pamjaftueshëm, etj. Kemi largim të projekteve edhe nga MKRS-ja që kanë qenë kode buxhetore dhe është përgjegjësi e plotë dy stadiume, palestra sportive në Krushë të Madhe dhe stadiumi në Krushë të Madhe, janë 4 projekte që janë larguar dhe nuk kemi asnjë projekt të ri”.
Megjithatë, ka shtuar se granti i përgjithshëm është rritë.
“Granti i përgjithshëm nga shteti për Rahovecin është rritë për 2milionë e 494 mijë euro. Kemi rritje progresive të buxhetit. Por nuk kemi rritje të përkrahjes për investime publike”.
Latifi ka theksuar se rritja e çmimeve e ka vështirësuar rolin e komunës që përmes grantit t’i përkrahë projektet.
“Rritja e çmimeve pothuajse e ka bërë të papërfillshme fuqinë e komunës përmes grantit për me përkrahë më shumë projekte, sepse rritja e çmimeve dhe kriza e ka krijuar efektin e vet dhe ka vështirësuar edhe përkundër rritjes nominale, ka vështirësuar mundësinë për investime për çështje publike”.