Është lansuar sot, 30.04.2024, programi “Kompakt”, investim në vlerë 236.7 milionë dollarë në energji, nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) e Qeverisë amerikane dhe Qeveria e Kosovës.
Sipas Qeverisë, ky program është i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve moderne për energji të pastër, me theks të veçantë ndërtimin e një sistemi të avancuar për ruajtjen e energjisë elektrike (baterive).
“Kompakti MCC-Kosovë synon të prezantojë një sistem të avancuar të ruajtjes së energjisë, duke hedhur themelet për burime të besueshme, të ripërtëritshme të energjisë që do të integrohen në rrjetin e Kosovës, dhe duke reduktuar nevojën për energji të prodhuar nga thëngjilli si dhe importet e kushtueshme të energjisë” – thuhet më tej në komunikatën e Qeverisë.
“Kompakti do të shërbejë si gur themeli i tranzicionit të Kosovës drejt energjisë së gjelbër, duke rritur sigurinë energjetike të vendit dhe duke nxitur transformimin e tij socio-ekonomik” – citohet të ketë thënë zëvendëspresidenti i MCC-së për Departamentin e Operacioneve “Kompakt”, Cameron Alford. “MCC është krenare që është partnere me Qeverinë e Kosovës për të filluar zyrtarisht fazën e zbatimit të kompaktit për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, më të ndritshme dhe më të barabartë energjetike për të gjithë kosovarët” ka shtuar ai.
202 milionë të kësaj vlere janë grant i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e 34.7 milionë bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës.
“Qëllimi jone? Trajtimi i pengesës më të madhe ekonomike të vendit – furnizimin e pasigurt me energji elektrike – duke futur ruajtjen e avancuar të energjisë, duke promovuar zhvillimin e fuqisë punëtore dhe duke katalizuar investimet private” – thuhet në njoftimin e MCC-së.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova po bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë.
“Mirënjohës Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Qeverisë amerikane, popullit amerikan në njërën anë dhe ministrisë së Ekonomisë në anën tjetër, për besimin, angazhimin dhe punën e jashtëzakonshme deri më sot dhe sot e tutje, për një të ardhme energjetike të sigurt e të qëndrueshme” – ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri ka shtuar se ky është investimi më i madh në energji në dekadat e fundit.