Platforma e vetme online “Triptoalbania.al” është lansuar.
Në të gjenden informacione rreth pikave turistike në në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në të gjitha trevat shqipfolëse.
Në prezantimin e kësaj platforme, morën pjesë akterë të rëndësishëm të këtij sektori, ndër to edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Ambasadori në detyrë i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani si dhe operatorë të suksesshëm turistik.
Klosi ka thënë se pasuria turistike shqiptare duhet të vitalizohet.
“Duhet të shoqërohemi që të vizitojmë detin, por duhet të vizitojmë edhe bukuritë e bjeshkëve. Të vizitojmë bukuritë e Durrësit e të Vlorës, por operatorët turistikë duhet të shikojnë edhe Prizrenin dhe Prishtinën si një opsion, sepse lidhja është më e thjeshtë. Mundësitë i kemi shumë më të kollajshme dhe mundësitë i kemi shumë më të mëdha qe të bëjmë një turizëm mbarë shqiptar”.
“Kjo është pasuri e madhe kombëtare. Kemi turizëm në të dy anët e bjeshkëve dhe kjo besoj është në përgjegjësinë tonë, administratorëve publik të flasim dhe të promovojmë turizmin shqiptar“.
Nga ana tjetër Minxhozi, shprehu mirënjohje për krijuesin e kësaj platforme.
“Unë kam shumë bindje se në ballë të turizmit të Shqipërisë do të qëndrojë Kosova. Uroj që në Shqipëri të bëhet edhe më tepër një jehonë sa më e madhe edhe për turizmin malor të Kosovës jashtë mase i lakueshëm”.
Hasani ka thënë se shpreson që turizmi në të dy vendet shqipfolëse të rritet, pasi të dy vendet i kanë potencialet e veta turistike.
“Kosova e ka malin, Shqipëria e ka detin, prandaj që të dy vendet ofrojnë shumë për vizitorët dhe pushuesit në çfarë do stine të vitit“.
Ndërsa Azem Bujupi, Drejtori Ekzekutiv dhe ideator i “Triptoalbania.al”, ka treguar rreth idesë së tij për krijimin e platformës.
“Arsyeja e krijimit të kësaj platforme është e thjeshtë. Fillimisht ne duhet të prezantojmë veten se kush jemi ne, për ata që duan të na vizitojnë. Duhet të prezantojmë tokën, traditën, mikpritjen, veshjen dhe gjithçka tjetër që neve na bën të jemi ata që jemi krenarë. Pjesa e parë e kësaj është “Know me” të njihemi dhe pjesa tjetër “Taste me” më provo, më testo. Është komplet prezantimi i vijës bregdetare malore, Mal i Zi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Kosovë.
Në përfundim u bë edhe prezantimi komplet i platformës, se ku mund ta gjeni dhe si të njiheni me vendet më atraktive të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të zi, duke u njohur me historinë e tyre, traditat, zakonet, gastronominë etj.