Agjencia e Statistikave të Kosovës ka lansuar lojën shpërblyese për regjistrimin e popullsisë. Ajo është hapur në platformën “e-Kosova”.
Kushti për të marrë pjesë në lojën shpërblyese është që të jeni të regjistruar në këtë platformë.
Gara është që të qëllohet numri i popullsisë rezidente, sipas regjistrimit që tashmë ka nisur.
Loja shpërblyese do të jetë e hapur nga 11 prilli deri më 10 maj 2024 ora 24:00.
Fituesi do të marrë 10 mijë euro.
Disa të dhëna për lojën shpërblyese
- Regjistrimi i Popullsisë fillon nga data 05 Prill – 17 Maj 2024.
- Loja Shpërblyese fillon nga data 10 Prill – 10 Maj 2024 (ora 24:00)
- Kushti kryesor për të marrë pjesë në Lojën Shpërblyese është që ju të jeni të regjistruar kurdo nga data 05 Prill – 17 Maj 2024 dhe ta keni dhënë saktë numrin tuaj personal gjatë intervistës. Pra, ju mund të luani që nga dita e parë që fillon loja (10 Prill- 10 Maj 2024) edhe nëse nuk jeni regjistruar akoma gjatë kësaj kohe, sepse intervista me ju do të mund të zhvillohet deri me datë 17 Maj 2024 (dita e fundit e Regjistrimit).
- Loja shpërblyese është dizajnuar të përfundojë 10 ditë para regjistrimit me qëllim që askush mos të ketë qasje paraprake.
- Nëse ju keni luajtur në Lojën Shpërblyese, por nuk jeni në bazën e të dhënave të personave që janë regjistruar në periudhën ndërmjet 05 Prillit deri 17 Maj 2024, atëherë ju nuk do të kualifikoheni si kandidat potencial për të fituar.
- Në Lojë Shpërblyese ka të drejtë të marrë pjesë një apo të gjithë anëtarët e ekonomisë familjare që janë regjistruar, pa marrë parasysh moshën. Gjithë përfshirja do të eliminon diskriminimin e moshës.
Për të luajtur kërkohet ta plotësoni fushën në pyetjen: Sa do të jetë numri i Popullsisë rezidente në Kosovë sipas REKOS2024? Ju duhet të shënoni vetëm numrin personal (nuk kërkohet të plotësoni të dhënat tjera personale, si: emri, mbiemri, adresa, telefoni apo emaili). - Ju do ta dini që jeni pjesëmarrës i lojës shpërblyese pasi që t’i keni plotësuar këto dy fusha, aplikacioni gjeneron një të dhënë që iu informon: personi me numër personal ka vlerësuar se numri i popullsisë rezidente në Kosovë do të jetë XXX.
- Ju keni drejtë të luani vetëm një herë.
- Ju mund ta kontrolloni se si e keni vlerësuar numrin e popullsisë deri në kohën kur jepet shpërblimi.
- Fituesi/fituesit e Lojës Shpërblyese duhet të kenë xhirollogari bankare të hapur në Kosovë.
Çfarë duhet të bëni për të fituar?
- Për të fituar shpërblimin e madh, ju duhet ta vlerësoni sa është numri i saktë i popullsisë rezidente në Kosovë, duke përfshirë edhe numrin e fundit. Shembull: të dhënat paraprake nga REKOS2024 tregojnë se numri i popullsisë rezidente në Kosovë në datën 05 Prill 2024 ishte 1,700,005 banorë dhe për ta fituar shpërblimin e madh ju duhet ta dini numrin e plotë të popullsisë, në këtë rast edhe numrin e fundit (5).
Sa është shpërblimi?
- Vlera e shpërblimit është 10,000 EUR bruto dhe, do të ndahet për personin që ka dhënë numrin e saktë të popullsisë rezidente në Kosovë sipas REKSOS2024.
- Në rast se janë dy, tre apo më shumë persona që kanë qëlluar numrin e saktë të popullsisë rezidente, atëherë shpërblimi do të ndahet në mënyrë të barabartë me numrin e fituesve.
- Në rast se askush nga pjesëmarrësit në lojë nuk e ka qëlluar numrin e saktë të popullsisë rezidente, atëherë shpërblimi shkon tek ai/ajo që ka vlerësuar numrin më të përafërt me numrin e saktë të popullsisë rezidente. Pra, nëse numri i popullsisë rezidente sipas të dhënave paraprake të publikuara nga REKOS 202 4 do të ishte 1,700,005, mirëpo askush nuk arrin ta di numrin e saktë, atëherë shpërblimi shkon tek personi i cili i është përafruar më së shumti këtij numri të publikuar nga ASK në ditën kur bëhen publike të dhënat paraprake.
- Shembull: Asnjë person nuk ka arritur ta dijë numrin e saktë të popullsisë rezidente në Kosovë, por një person me numër personal 100xxxxxxx ka dhënë vlerësimin më të përafërt me numrin e saktë. Ai/ajo ka arritur që të vlerësojë numrin e popullsisë shumë të përafërt krahasuar me rezultatet paraprake duke dhënë vlerësimin e tij/saj se numri i popullsisë rezidente në REKSOS 2024 do të ishte 1,700,002 banorë. Pra, saktësia është vetëm për 3 banorë më pak.
- Nëse dy apo më shumë persona kanë arritur të japin numrin më të përafërt si:
- Një person ka vlerësuar numrin e popullsisë me 1,700,002 banorë (vetëm për 3 banorë më pak) dhe një tjetër me 1,700,008 (vetëm për 3 banorë më shumë), atëherë shuma i ndahet këtyre dy personave në mënyrë të barabartë.
Kur do të shpallet fituesi/fituesit?
- Fituesi/fituesit e Lojës Shpërblyese do të shpallet me datën kur shpallen të dhënat paraprake (brenda tre muajve pas përfundimit të regjistrimit).
- Kur do të shpallen të dhënat paraprake do të organizohet një Konferencë dhe po atë ditë do të shpallet edhe fituesi. Konferenca do të transmetohet (live) në disa televizione dhe fituesi do të shpallet edhe në web faqen e ASK dhe në media.
- Nëse fituesi nuk mund të jetë prezent të marrë shpërblimin mund ta autorizoje ndonjë person.
- Në rast se fituesi nuk lajmërohet brenda një muaji, shpërblimi do të shkoj tek personi i cili ka qëlluar më për s’afërmi numrin e popullsisë rezidente.